LOS ANXHELES – 10 të vdekur pas zjarreve apokaliptike

LOS ANXHELES, 10 janar /ATSH-DPA/ – Të paktën 10 persona kanë vdekur pasi zjarret e mëdha vazhdojnë të shkatërrojnë zonën e Los Anxhelesit, në shtetin amerikan të Kalifornisë.
Të gjitha rastet janë aktualisht në pritje të identifikimit dhe njoftimit ligjor të të afërmve.
Më herët, presidenti amerikan, Joe Biden tha se flakët që digjen në zonën e Los Anxhelesit ishin më shkatërruesit në historinë e shtetit perëndimor të SHBA.
“Ky është zjarri shkatërrues më i përhapur në historinë e Kalifornisë”, tha Biden.
“360 000 njerëz janë evakuuar deri më tani”, shtoi ai.
Fillimisht nuk dihej se si nisën zjarret. Ata ishin ende jashtë kontrollit deri të enjten vonë.
Sipas shefit të zjarrfikësve të Los Anxhelosit, Kristin Crowley, më shumë se 5 300 shtëpi janë shkatërruar vetëm në lagjen ”Pacific Palisades” që nga e marta.
Ndërkohë, rreth 4 000 deri në 5 000 ndërtesa janë shkatërruar ose dëmtuar pranë Pasadenas duke përfshirë shtëpitë dhe pronat komerciale.
Nuk ka rënë fare shi për të paktën tetë muaj në Kaliforninë e Jugut.
Pemët dhe shkurret janë tharë. Kësaj i shtohen erërat e forta tipike sezonale të Santa Ana, të cilat nxisin flakët me shpejtësi.
Sipas një vlerësimi paraprak nga shërbimi privat amerikan i motit ”AccuWeather”, i cili mat gjithashtu efektet e motit të keq, dëmi total dhe humbjet ekonomike të zjarreve mund të jenë midis 135 dhe 150 miliardë dollarë./ a.jor.