E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier: Faturat aforfe, bashkia padit filialin e OSSH-së

Jo vetëm konsumatori familjar dhe ai privat i energjisë elektrike, por edhe institucionet po ndëshkohen nga faturimet aforfe në Fier. Bashkia e Fierit kundërshton faturat aforfe të filialit të OSSH-së, i cili ka prerë fatura fiktive për ndriçimin publik të qytetit, duke anashkaluar kontraktorët. Një situatë e tillë ka gati tre vjet që regjistrohet në Fier, ndërkohë që kundërshtohet nga bashkia, drejtues të së cilës shpeshherë janë përplasur me ata të OSSH-së, por që kurrë nuk kanë gjetur zgjidhje. Bashkia e Fierit pretendon se faturat aforfe shprehen në shifra shumë herë më të larta se nga çfarë konsumon realisht për ndriçimin publik. Për të gjitha abuzimet, bashkia ka siguruar provat. Duke mos gjetur zgjidhje, si dhe duke mos arritur të ndalojë faturimin e vazhdueshëm aforfe, bashkia është detyruar që t‘i drejtohet gjykatës për të kryer padi. Madje, faturimi aforfe kundrejt Bashkisë së Fierit është kthyer objekt debati edhe në mbledhjen e fundit të këshillit bashkiak, ku drejtori i Ndërmarrjes Komunale ka kërkuar që për zgjidhjen e problemit të angazhohet edhe këshillit bashkiak. Ndriçimi publik i qytetit të Fierit është i pajisur me sahatet matës të konsumit të energjisë. Sahatet janë vendosur dhe koaliduar nga drejtuesit e OSSH-së. Konfirmohet se sahatet matës të energjisë janë vendosur pesë vjet më parë, por kurrë nuk janë respektuar nga faturuesit e energjisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›