E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: E drejta e PS-së të vendosë për bojkotin e zgjedhjeve

Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, Luan Rama, foli sot për përgatitjet e partisë së tij në këtë drejtim, teksa nuk ka mbetur jashtë çështjeve aktuale.

Për LSI-në, mundësia e bojkotit të zgjedhjeve nga ana e opozitës socialiste, nuk përbën habi dhe shqetësim të madh.

“Padyshim është në të drejtën e strukturave të Partisë Socialiste, të anëtarëve të saj nëse këto struktura i konsideron Edi Rama apo jo por është në të drejtën e këtyre strukturave të vendosin çfarë do bëjnë. Nuk është e papritur, as edhe ndonjë befasi ajo që paralajmëron në fakt kryetari aktual i PS-së për të mos marrë pjesë në zgjedhjet lokale. Ky nuk është problem i yni, ky është problem i tyre por edhe deri më sot ata kanë dëshmuar që kanë zgjedhur rrugën e vet përjashtimit, të largimit prej institucioneve dhe largimi prej institucionit themelor të demokracisë që janë zgjedhjet e lira në thelb do të thotë të vazhdosh të investohesh për të mbyllur ciklin politik të Partisë Socialiste”, theksoi Luan Rama.

Ai shtoi se PS-ja në mënyrën e si administrohet nuk përfaqëson interesat e elektoratit të saj. I pyetur për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, zyrtari i lartë i LSI-së, u shpreh se halucinacionet për të tilla zgjedhje shprehin mos njohjen e realitetit. Kur flitet për presidentin e Republikës, LSI-ja është e rezervuar, teksa nënvizon se e mbështet qëndrimin e presidentit në respekt të Kushtetutës dhe zbatimit të ligjit përballë cilitdo që shfaqet si shkelës i tij.

Pas kësaj, reagoi edhe PS-ja me anë të anëtares së Asamblesë, Megi Ajtyreza, e cila tha se protestat nuk do të ndalen për sa kohë që zyrat e qeverisë janë të mbushur me hajna.

 /Saimir Lleshi/Start/

                                                                                             2011-01-29 15:04
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›