E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Gati drafti për reformën e ligjit elektoral

TIRANE- Lëvizja Socialiste për Integrim, forca e tretë politike në vend dhe pjesë e mazhorancës qeverisëse, ka gati një draft lidhur me rishikimin e kodit aktual zgjedhor, të cilin do ta parashtrojë kur të realizohet tryeza e mundshme me përfaqësuesit e partive të tjera, në kuadër të zgjedhjeve lokale të vitit 2011.
Në një intervistë për ATSH-në sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, thotë që ky draft është përgatitur nga një komision i posaçëm, i profilizuar në çështjet e reformës zgjedhore.
"Juristë, konstitucionalistë dhe specialistë të çështjeve zgjedhore, pjesëtarë të këtij komisioni, kanë bërë një rishikim të kodit aktual duke u bazuar veçanërisht në sugjerimet e OSBE/ODHIR, pas zgjedhjeve të 28 qershorit të vitit të kaluar", thotë Rama, ndërsa shton se jashtë konsultave për hartimin e këtij drafti nga LSI, nuk kanë mbetur as trupa të tjera, veçanërisht disa organizma jo qeveritarë, shoqata apo fondacione që merren drejtëpërdrejtë me zgjedhjet.
Përfaqësuesi i LSI nuk pranon të publikojë detaje konkrete nga drafti, duke u shprehur se "ne nuk artikulojmë çështje konkrete se çfarë synojmë të përmirësohet në kodin aktual, pasi nuk duam të paragjykojmë apo të sugjestionojmë tryezën e mundshme të një reforme zgjedhore".
Duke e cilësuar domosdoshmëri një tryezë për reformën zgjedhore, ai shton se për këtë duhet të jenë të gatshëm të gjithë aktorët politik parlamentarë. "Këtë vullnet dhe angazhim të drejtëpërdrejtë duhet ta shpreh, nëpërmjet pjesëmarrjes, opozita që përfaqëson PS", thotë Rama, duke lënë të nënkuptohet këtu kontestimet që opozita i ka bërë zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit.
Për LSI mbetet e domosdoshme që reforma të jetë jo vetëm gjithpërfshirëse, por edhe transparente për sytë e publikut me synim eleminimin e hapësirave që krijojnë pretekste në të ardhmen, nga cilido, për të kontestuar, mosnjohur apo mospranuar zgjedhjet.
Kodi aktual zgjedhor, i miratuar me konsensusin e dy partive të mëdha PD-PS para zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit të vitit të kaluar, është komentuar vazhdimisht si kodi që penalizoi partitë e vogla dhe në këtë kuadër LSI mbetet e hapur për ta riparë dhe përmirësuar sistemin.
Luan Rama parashtron faktin që nëse amendimet në kodin aktual konsistojnë në një sistem më korrekt dhe të konsoliduar, LSI nuk i trembet sistemit ekzistues. "Duke qënë aktualisht forca e tretë politike në vend, ne edhe për shkak të këtij sistemi kemi disa përfitime, të cilat na bëjnë të jemi pjesë e procesit tashmë dhe jo jashtë procesit sic ka qënë në zgjedhjet e 2009", theksoi ai.
Gjithsesi, përfundon Rama, "ne nuk nisemi nga interesi vetëm i LSI-së, por nga domosdoshmëria që reforma t'i shërbejë konsolidimit dhe forcimit të sistemit zgjedhor si dhe të garantojë përputhshmëri të plotë mes votës dhe nivelit të përfaqësimit, por edhe transparencës, që çdo qytetar të dijë se ku shkon dhe si administrohet vota e tij, në të mirë të qeverisjes së vendit.
(marre nge atsh/BalkanWeb)

Më shumë nga Teknologjia

Të gjitha ›