LSI: Kushtetuesja duhet të shprehet për mandatin e kryeprokurores Rama
“Presidenti dhe vetë Ina Rama t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese para nëntorit, për të përcaktuar se kur skadon mandati i Prokurorit të Përgjithshëm”. Ky është mendimi i nënkryetarit të Kuvendit, Nasip Naço, i cili e sheh këtë si formën e vetme për të shmangur një ngërç në drejtimin e organit të akuzës.
“Presidenti i Republikës para se të firmosi emrin e ri të Prokurorit të Përgjithshëm, nëse ka në dyzim në punën e vetë mund ti drejtohet dhe vetë Gjykatës Kushtetuese, por mund ti drejtohet dhe Prokurori i Përgjithshëm kësaj gjykate, por edhe partitë e tjera në bazë të Kushtetutës. Jemi akoma në kohë dhe mund të marrim një vendim dhe interpretim të Gjykatës Kushtetuese”, deklaron Naço për “AS”.
LSI ka shprehur ambicien për të marrë kryeprokurorin dhe deri më tani flitet për emrin e Spartak Brahos.
Si një ish-prokuror, deputeti i LSI-së deklaron se personalisht do të votojë paketën e ndryshimeve kushtetuese të PS-së për sistemin e drejtësisë. Ndër propozimet zgjedhja me 84 vota e Prokurorit të Përgjithshëm, anëtarëve të Gjykatës së Lartë, Kushtetuese e KLD-së.
“Nëse këto do të vijnë dhe votohen dhe unë do ta votoj personalisht. Nëse këto bëhen si mjet presioni për të mos ta votuar asnjëherë, atëherë qendrimi i tyre është absurditet dhe mund ta quajmë me plot gojë, paçavure”, deklaron Naço.