E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Nishani, vizitë dy ditore në Bruksel

Zyra e shtypit e Presidencës bëri të ditur se agjenda e vizitës parashikon ditën e hënë, më 17 shtator, në orën 14.30, takim të Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, me Presidentin e Këshillit të Evropës, Herman Van Rompuy, nga i cili mori edhe ftesën për vizitën. Ndërsa në orën 17.30 Nishani do të takohet me Presidentin e Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso.
     
Ditën e martë, Presidenti Nishani do të takohet gjithashtu edhe me Komisionerin Evropian për Zgjerimin, Stefan Fule, ndërsa në orën 16.30 me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, me të cilin do të japë edhe një konferencë për shtyp. Po të martën, Presidenti Nishani do të pritet nga kryebashkiaku i Sharbeekut, Bernard Clerfayt dhe më pas do të zhvillojë në Universitetin e Lirë të Brukselit, në orën 18.00 një takim me përfaqësues të bashkësisë shqiptare.
     
Dita e tretë e vizitës së Kryetarit të Shtetit shqiptar pritet të përmbyllet me një takim me zëvendëspresidenten e Komisionit Evropian / Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Politikën e Sigurisë, Baroneshën Catherine Ashton.
    
 Vizita zyrtare e Kryetarit të Shtetit në Bruksel zhvillohet në prag të publikimit nga Komisioni Evropian të Raportit të Përparimit të Shqipërisë për vitin 2012.     
    
 Në delegacionin zyrtar, të cilin kryeson Presidenti Nishani, do të jetë e pranishme dhe Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu.

                                                                                             2012-09-16 15:40
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›