E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI Kushtetuta seshte statuti i PS-se qe Edi Rama e ka ndryshuar sipas qejfit

"LSI nuk mund të shërbejë për të plotësuar tekat apo interesat personale të kryetarit aktual të PS-së, Edi Rama, i cili meqenëse humbi bashkinë dhe është në opozitë për herë të parë në karrierën e vet politike, mund të përdorë LSI-në që të katapultohet në karrigen e Kryeministrit".

Në një konferencë për shtyp, Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama ritheksoi sërish sot qëndrimin e kësaj force politike lidhur me kërkesën e kreyesocialistit, Edi Rama për ndryshime kushtetuese.

"Kushtetuta nuk është statuti dhe dokument i PS-së, të cilin Edi Rama e ka ndryshuar si i ka dashur qejfi, por duke qenë njëherësh njëri nga produktet më cilësore të kohës kur në qeverisje ishte PS, nuk mund të ndryshojë sa herë ndryshojnë interesat e karriges së Edi Ramës", deklaroi përfaqësuesi i LSI-së.

Gjithashtu në emër të LSI-së, Luan Rama deklaroi se nuk mund të ketë bashkëpunim me PS-në për ndryshimet në ligjin themeltar të shtetit.
"Ne e kemi bërë të qartë dhe po e përsëris që LSI është pjesë përbërëse e koalicionit qeverisës, është kontributore e rëndësishme, jo vetëm në stabilitetin politik në vend dhe në funksionimin normal të institucioneve të shtetit, por edhe në përballimin e sfidave të mëdha me të cilat është ballafaquar, jo thjesht qeverisja por e gjithë shoqëria shqiptare", theksoi Rama.

Sipas tij, aleancat dhe koalicionet e LSI-së ngrihen mbi bazamente që kanë në themel interesat evropiane të vendit dhe jo interesat individuale të askujt.

Gjatë konferencës për shtyp, sekretari i Përgjithshëm i LSI-së bëri të ditur se shumë shpejt kjo forcë politike do të nisë përgatitjen për riorganizimin në parti, ku do të zhvillohet fushata për të zgjedhur të gjitha strukturat e kësaj partie, nga njësia bazë e deri tek Komiteti Drejtues Kombëtar, Kryesia dhe tek zgjedhja e Kryetarit sipas parimit “një anëtarë, një votë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›