E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI: Noka me polici, presion simpatizantëve të LSI. Reagon Ministri: Ligji ndalon shantazhet

TIRANË-Lëvizja Socialiste për Integrim deklaroi sot se Policia e Shtetit ka ushtruar presion e dhunë mbi disa simpatizantë të LSI në qarkun e Kukësit. Sekretari ndërkombëtar në LSI, Ralf Gjoni denoncoi disa raste që sipas tij përbëjnë shkelje të rëndë të ligjit. 

“Jam këtu në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim, të dënoj rëndë një seri aktesh dhune dhe presioni elektoral që po ushtrohet këto ditë, përsëri në Qarkun e Kukësit. 

-Para 3 ditësh, pra në dt 16 qershor, kreut të LSI në Fshatin Crnalevë – Komuna Shishtavec, z. Eshref Islami, i është bërë kontroll dhe bastisje në shtepi nga efektivë të policisë së shtetit pa patur mandat. Më pas z.Islami është shoqëruar në komisariat ku është mbajtur për rreth 4 orë. 

-Sot në mëngjes, ndërsa Ministri i Brendshëm dhe kandidati për deputet i Partisë Demokratike Flamur Noka vijonte takimet e tij elektorale, është telefonuar kryetari i LSI dhe këshilltar në Komunën Topojan z.Rrustem Ahmeti dhe i është kërkuar të paraqitet në Drejtorinë e Policisë, pa asnjë lloj arsyeje. 

-Po sot, është ushtruar terror mbi kandidatin për deputet të LSI në Has z.Pëllumb Bardhoshi si dhe mbi të afërmit e tij. Forcat speciale dhe efektivë të policisë së shtetit, kanë zbarkuar në mënyrë të dhunshme Lagjen Bardhosh të fshatit Qarr në Rrethin e Krumës duke hyrë në shtëpitë e anëtarëve dhe mbështetësve të LSI, të të afërmve të kandidatit, dukë bërë bastisje dhe kontroll të pamandatuar.
-Ndërkohë, sot në mengjes është shoqëruar edhe shoferi i z. Bardhoshi në komisariatin e Hasit pas ndërhyrjes së rreth 30 efektivëve të policisë dhe të forcave speciale. Shefi i krimeve të zonës Shpetim Maçi ka qenë prezent. Kur është kërkuar nga z. Bardhoshi për arsyen e kësaj sjelljeje të paligjshme dhe të dhunshme, përgjigja nga policia ka qenë së nuk mund të jepen spjegime, por se ka patur urdhën nga lart”.

Sipas Gjonit, ministri i Brendshëm po shkatërron zgjedhjet me bekimin e Berishës. “Eshtë e qartë se Flamur Noka po kthehet nga ministër në shkatërrues të zgjedhjeve me bekimin e Sali Berishës. Dua që në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim të paralajmëroj Ministrin e Brendshëm Noka dhe të gjithë ata individë që kanë ndërmarrë një operacion kaq të shëmtuar terrori ndaj kandidatëve, aktivistëve, mbështetësve të LSI apo të çdo force tjetër politike, se do të mbajnë përgjegjësi ligjore për aktivitetin kriminal, intimidues dhe kërcënues që kanë ndërmarrë”.

LSI vlerëson se këto akte ndërmerren me qëllim, destabilizim të procesit zgjedhor. “Këto veprime antiligjore deri në kriminale për të intimiduar zgjedhësit, për të krijuar klimë presioni deri në terror – janë ligjërisht të ndëshkueshme dhe janë tashmë të konsumuara në tentativë të plotë”.

Më tej Gjoni tha se shteti pas 23 Qershorit do ndëshkojë personat përgjegjës për akte të tilla. “Shteti i pas datës 23, do t’i qepet këmba këmbës të gjithë këtyre policëve, shiksave, forcave speciale që janë vënë në shërbim të kësaj dhune zgjedhore të Partisë Demokratike, deri sa të vendoset drejtësia dhe të japin llogari para ligjit për çdo akt terrori që po kryejnë. E themi këtë jo për hakmarrje politike, por si qëndrim politik për drejtësi”, tha Gjoni ndërsa shtoi se ka vënë në dijeni për këto ngjarje dhe zyrën e OSBE-ODIHR, prezencën e BE në Tiranë, Ambasadën Amerikane. 

REAGON NOKA : LIGJI NDALON ÇDO FORMË SHANTAZHI PËR VOTËN
Ministri i Brendshëm Flamur Noka ka reaguar ndaj akuzave të LSI. Nga Gola e Hasit ku po zhvillonte një takim elektoral. Ministri Noka ka hedhur poshtë akuzat e LSI, se Policia e Shteti po ushtron dhunë ndaj simpatizantëve të LSI në qarkun e Kukësit, ndërkohë ka kujtuar se ligji ndalon çdo formë shantazhi për votën

“LSI duhet ta dije qe marrja e votave me blerje dhe devijim korruptiv i vullnetit qytetarëve do ngelet një ëndërr e prishur pasi kuksianët, hasjanët dhe tropojanët nuk i kanë blerë dhe nënshtruar as hordhitë serbe e as diktatura e jo trafikanti kandidat i LSI. I bëj thirrje LSI të ndërpres këto tentativa kriminale, se ndaj cdokujt që do tentojë do veproje ligji dhe vetëm ligji”, shprehet Noka.

(d.b/e.m/BalkanWeb) Lidhje te tjera Kukës, policia: Dyshohet për blerje votash, ndalohet një person

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›