Olldashi: PD me një platformë për rrëzimin e Ramës në 2015
Olldashi për PD: Përfaqësimi politik ti rikthehet anëtarësisë!
Kandidati për kryetar i Partisë Demokratike, Sokol Olldashi, ka udhëtuar dje drejt jugperëndimit të vendit: Vlorës, Sarandës dhe Delvinës duke prezantuar platformën e tij. Nga Vlora, Olldashi deklaroi se Partia Demokratike duhet të ndërtojë një platformë për tu rikthyer shpejt në shumicë qeverisëse, duke përdorur si potencial opozitar të gjithë kontigjentin e qytetarëve që preken nga mashtrimet e kundërshtarit politik, i cili ende pa marrë pushtetin rrëzoi boshtin e premtimeve elektorale.
Deklarata
Ne, këtë duhet ta kthejmë në potencial opozitar, duhet të trokasim në çdo derë biznesmeni të vogël dhe ti themi zotëri të gënjeu, hajde me ne në opozitë. Rrëzoi premtimin për shëndetësinë falas, duhet ti drejtohemi të gjithë atyre që e besuan këtë premtim dhe ti themi zotëri ju gënjeu, hajdeni me ne në opozitë. Duhet tu drejtohemi të gjithë atyre që i mashtroi për legalizimet dhe tu themi, zotërinj ju gënjeu. Pa ardhur akoma në pushtet, nuk nisi me legalizimet, por nisi me shkatërrimet, ejani me ne në opozitë, tha ai. Ndërkohë, Sokol Olldashi ritheksoi përcaktimin e qartë të terrenit politik në Shqipëri, për të mos lejuar asnjë lojtar mesi që luan në fashën e elektoratit të pavendosur. Demokratët- tha Olldashi nuk kanë kohë për të pritur, misioni i tyre është i qartë, rrëzimi i Edi Ramës, në përballjen më të parë elektorale, në zgjedhjet e 2015-ës. Partia Demokratike ka të gjithë potencialin profesional, politik, intelektual për tu përballur me kundërshtarin dhe për ta shkërmoqur. Ne duhet të kuptojmë që detyra jonë, nuk është që të presim që Edi Rama të bjerë, detyra jonë është që ta rrëzojmë Edi Ramën, një ditë e më parë, tha ai.
Strukturat
Në takimet me anëtarët dhe drejtuesit politikë të PD-së në Delvinë dhe Sarandë, Sokol Olldashi foli edhe për riformatimin e strukturave politike duke kërkuar rikthimin e përfaqësimit politik tek anëtarësia. Përqëndrimi i vendim-marrjes vetëm në duart e grupeve të punës, nuk është funksional, sepse mbyll rrethin më shumë. Ne kemi nevojë të kalojmë në një mekanizëm të ri, që do të bazohet tek kuotat elektorale të secilës degë dhe përzgjedhja nominale për administrimin e kësaj kuote duhet të bëhet nga dega dhe jo nga grupi i punës, tha ai. Olldashi përforcoi deklaratat se rikthimi i vendim-marrjes politike dhe administrative, nga grupet e punës tek strukturat bazike, korrigjon një proces me peshë në jetën e brendshme politike të PD-së, pasi iu kthen pushtetin, degëve të Partisë në rrethe.