Prokuroria: Për Vokshin do marrim materialet e ILDKP-së
Prokurorët kanë pohuar se do kërkojnë të dhënat e mbledhura nga hetimi i ILDKP-së për konfliktin e interesit
TIRANË- Njësia e Task-Forcës në Prokurorinë e kryeqytetit i kërkon Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP-së) dosjen administrative të deputetes Albana Vokshi, në lidhje me hetimin pasuror të saj dhe konfliktin e mundshëm të interesit në lidhje me koncesionet që i janë dhënë bashkëjetuesit të saj, Arjan Tartari.
Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të institucionit të akuzës, të cilët saktësuan se prokurorët e çështjes Ardian Braho dhe Valentin Preçi, përveç shkresave drejtuar ILDKP-së i janë drejtuar edhe shumë institucioneve tjera që kanë lidhje me këto koncesione.
Pak kohë më parë, pas denoncimeve nga "Shekulli", drejtuesi i ILDKP-së kishte urdhëruar fillimin e hetimit administrativ të pasurisë së deputetes Vokshi dhe lidhjes me Arjan Tartarin.
"Ne do të nisim hetimin administrativ mbi ekzistencën e marrëveshjeve koncesionare, ku përfshihet edhe z. Tartari, Inspektorati i Lartë do të verifikojë nëse ka qenë pjesë e vendimmarrjes në këto akte znj.
Vokshi, në kohën kur ka qenë Drejtore Departamenti në Këshillin e Ministrave, si organi që trajton marrëveshjet koncesionare të përmendura në artikuj",- pat deklaruar për "Shekullin" kreu i ILDKP-së Llalla.
Por i kontaktuar dje nga "Shekulli" kreu i ILDKP-së pohoi se ende nuk ka mbërritur një kërkesë e tillë nga ana e prokurorisë. Zoti Llalla shpjegoi dje se ndodhej ende në zyrë por kërkesa e prokurorisë nuk kishte mbërritur.
Sipas tij, hetimi për konfliktin e mundshëm të zonjës Vokshi ende nuk ka përfunduar pasi vetë procedura kërkon një kohë më të gjatë për të verifikuar të gjitha dokumentet.
Burimet e prokurorisë pohuan se gjatë marrjes në pyetje të deputetes Vokshi, i janë kërkuar detaje të tjera në lidhje me akuzat ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, për projektin e ndërtimit në parkun e Liqenit.
Përveç kësaj, ata e kanë njoftuar deputeten Vokshi, se nëse provohen akuzat e denoncuara në media, për dhënien e 20 % të vlerës së projektit për marrjen e lejes së ndërtimit nga Bashkia e Tiranës, ky veprim përbën vepër penale për "përfituesin" e 20 % të vlerës dhe "dhuruesin" e kësaj shume kundrejt fitimit të lejes së ndërtimit. Për këto akuza të deputetes Vokshi, prokurorët i kanë nisur Bashkisë së kryeqytetit një shkresë zyrtare ku i kërkohet informacion i detajuar për këto akuza.
Ndërkaq, mësohet se grupi hetimor tashmë ka nisur shkresat zyrtare në adresë të Ministrisë së Energjetikës, duke i kërkuar të gjitha dokumentacionet për procedurat e tenderimit dhe më pas mënyrën e dhënies së koncesioneve të HEC-eve dhe të vendburimeve të naftës.
Gjithashtu, pritet që në ditët në vazhdim, pas administrimit dhe analizimit të të gjitha këtyre dokumenteve, të merren në pyetje zyrtarët e Ministrisë së Energjetikës të cilët kanë qenë pjesë e grupit të punës për përzgjedhjen e firmave fituese, shtetasi Arian Tartari, motra e deputetes shtetasja Mimoza Vokshi, shtetasi Dritan Havllaj apo edhe persona të tjerë që kanë dijeninë për këto çështje.