LSI, Prifti: Gati të rivendosim të drejtën e votës
TIRANE- LSI denoncoi sot edhe njëherë përpjekjen “tinzare, joparimore, arrogante, të dhunshme dhe përjashtuese” të PD-PS për të monopolizuar administrimin e votave në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Nenkryetari i LSI, deputeti Dritan Prifti tha sot për median se “Formulat tinzare të ndarjes së KQZ kanë qëllim diskriminimin e padrejtë, por dhe mafioz të LSI, si kundërshtarja kryesore e dy partive të vjetra PS-PD.
“Nuk ka asnjë kriter që të përjashtojë LSI nga procesi i administrimit te zgjedhjeve te ardhshme. LSI është forca e tretë politike në vend e konfirmuar qartë edhe nga zgjedhjet e fundit të 2007. LSI është forca e tretë politike në vend që nuk kontestohet nga askush brenda dhe jashte Shqiperisë” tha Prifti.
“LSI nuk do të pranojë në asnjë rrethane një Kod Zgjedhor të hartuar nga interesa mafioze të përjetësimit të pushtetit nga grupe mafioze brenda PS-PD për interesa ekonomike të jashtëligjshme, dhe kundër vullnetit dhe interesit të Shqipërisë Europiane. LSI nuk do te pranoje ne asnje menyre nje reforme zgjedhore pa standarte dhe garanci per administrim transparent dhe te ndershem te zgjedhjeve- vazhdoi Prifti.
Ai akuzoi kryetarin e PS-së Edi Rama se po shkëputet cdo ditë e më shumë nga bashkimi i fuqishëm kundër Sali Berishës dhe kastës së tij. “Eshtë pikërisht Edi Rama që i ka kerkuar Sali Berishes heqjen e LSI nga procesi i administrimit të zgjedhjeve të 2009, dhe e ka vendosur këtë si kusht për dhënien e votës së PS-së për Kodin Zgjedhor.”- akuzoi Prifti.
”Nese Rama dhe Berisha do vazhdojne te punojne dhe insistojne qe zgjedhjet jane monopol i tyre privat, LSI do vazhdoj te punoj per te ngritur popullin kunder diktatures konsensuale me 2 koka. Ne do jemi te gatshem ti pergjigjemi vullnetit te popullit per tu vene ne krye te nje revolucioni te furishem demokratik ne vend, per te rikthyer lirite, te drejtat dhe voten e lire te neperkembura nga Berisha dhe Rama”- mbylli deklaratën e tij nënkryetari i LSI-së Drita Prifti.
(s.g/BalkanWeb)