E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma,Rekrutimi: Ushtarë me pagesë pas 2 vitesh

Brenda vitit 2010 i gjithë kontigjenti i Forcave të Armatosura do të jetë profesionist, duke i dhënë fund rekrutimit të ushtarëve për shërbim të detyrueshëm ushtarak.. Duke filluar nga 2010 ushtari do të rekrutohet me pagesë 2 herë nga 3 vjet ose 4 vjet. 

TIRANE- Brenda vitit 2010 i gjithë kontigjenti i Forcave të Armatosura do të jetë profesionist, duke i dhënë fund rekrutimit të ushtarëve për shërbim të detyrueshëm ushtarak. Komandanti i Qëndrës së Personel- Rekrutimit të Shqipërisë, Kolonel Zihni Goxhaj, sqaron se "duke filluar nga viti 2010 nuk do të ketë më shërbim të detyrueshëm, siç ishte shërbimi prej 12 muajsh, por do të ketë vetëm shërbim profesionist, në bazë të të cili rekrutohet ushtari me pagesë kundrejt një detyrimi, i cili do të jetë 2 herë nga 3 vjet ose 4 vjet".

Kolonel Goxhaj theksoi se "kjo iniciativë u mor në kuadrin e kërkesave të NATO-s që ushtria të jetë profesioniste, dhe nisur edhe nga kushtet e vendit tonë, ku është bërë shumë i vështirë rekrutimi i ushtarëve për kryerjen e shërbimit të dety-rueshëm ushtarak". I pyetur nëse pagesa e ushtarëve profesionistë do të jetë në nivelin e vendeve të NATO-s, Kolonel Goxhaj tha se pagesa është në nivelin e Shqipërisë dhe do të shikohet në pikëpamjen e GDP-së që ka shteti.
Pra përqindja që zë unë në pagesën si nëpunës shteti, shtoi ai, "është e njëjtë pak a shumë me pagesën që ka një ushtarak në vendet e NATO-s. GDP-në e kemi 2 për qind, aq sa e kanë pak a shumë vendet e NATO-s, kështu që ne e kemi përmbushur si standard, por duhet të kemi parasysh se është një 2 përqindsh i GDP- së së Shqipërisë, jo i Italisë apo vendeve të tjera". Në kuadër të përmbushjes të kësaj kërkese Kreu i Qëndrës së Personel-Rekrutimit nënvizoi se "do të ketë prurje të mëdha në radhët e ushtrisë". "Shifra që ne kemi kërkuar dhe raportuar kapet, pasi ne do të bëjmë një fushatë propaganduese, por ajo që përbën veçanti, është fluksi i madh i femrave, të cilat kthehen nga komanda sepse janë shumë vende të projektuara, që nuk i bën dot një femër, por një mashkull".

Sipas tij, "kuota do të kapet patjetër, por si çdo vend tjetër, profesionalizmi nuk mund të them se do të jetë i arrirë, megjithatë ne po bëjmë programe të trajnimit brenda vendit, me ekspertizë edhe nga vendet e NATO-s, i çojmë për kualifikime jashtë shtetit, dhe kuptohet që gradualisht do të arrijmë te profesionalizmi". Krahas këtyre, z.Goxhaj theksoi faktin se "përzgjedhja dhe rekrutimi i ushtarëve profesionistë është sfida kryesore e punës së personelit të QPR-së për rritjen e cilësisë së rekrutimit, me qëllim arritjen e objektivit për një forcë tërësisht profesioniste deri në vitin 2010." "Kontigjentët që do të zgjidhen për t'u bërë ushtarë profesionistë do të jenë ata që kanë përfunduar shërbimin e detyrueshëm ushtarak, do të jenë ata që kanë përfunduar arsimin universitar, dhe që kanë përfunduar stërvitjen bazë në Bonavi, por do të ketë edhe shtetas që kanë mbushur moshën për t'u rekrutuar ushtarë aktivë, dhe që kanë dëshirë të jenë pjesë pjesë përbërese e FA, si ushtarë profesioniste", tha kolonel Goxhaj. Sipas tij, "përgatitja profesionale e ushtarëve do të ishte pa dyshim sfida kryesore për krijimin e një force sa më profesioniste".

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›