E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Rama kundër të gjithëve me një gjuhë staliniste

Zëdhënësi i kësaj force, Ralf Gjoni, deklaroi se LSI do të punojë fort për të përfaqësuar votën e saj në pushtet, si dhe votën e të gjithë socialistëve që nuk mund t’i përfaqësojë më Edi Rama.

“Degradimi i lidershipit te PS-së dhe gjuha staliniste e Edi Ramës dje kundër të gjithëve, dhe në mënyrë të veçantë kundër LSI-së, na forcon bindjen në drejtësinë e vendimit tonë për këtë koalicion të rëndësishëm dhe historik me PD-në për të garantuar stabilitetin e qeverisjes së vendit dhe suksesin e reformave që bashkojnë Shqipërinë me Evropën”, thekson zëdhënësi Gjoni në një deklaratë për shtyp.

Pyetjes nga gazetarët rreth bashkëpunimit të kërkuar prej Ramës me 5 anëtarët e LSI (Xhufi, Klosi, Brokaj, Legisi e Muci), Gjoni iu përgjigjet se, “LSI ka struktura zyrtare, ka një kryesi, ka një kryetar i cili është mandatuar nga shumica dërrmuese e konventës së jashtëzakonshme për të negociuar me PD-në, për bashkëqeverisje gjatë 4 viteve të ardhshëm dhe për të garantuar suksesin e reformave që do çojnë Shqipërinë më afër Evropës”.

Pyetjes se Rama të paktën po kërkon bashkëpunim, Gjoni i përgjigjet se, “pas krimit elektoral të orkestruar prej tij dhe strukturave kriminale nën diktatin e tij, tashmë është tepër vonë për Edi Ramën të kërkojë bashkëpunim me LSI-në. Ai kërkon të shkatërrojë dhe të krijojë kaos, ndërsa ne do të veprojmë në shërbim të interesave të gjera të qytetarëve shqiptarë”.

                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›