E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Të përmirësohet reforma zgjedhore

Zëvendëskryetari i LSI-së Edmond Haxhinasto ka kërkuar fillimin sa më parë të përmirësimit të reformës zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme. Në një konferencë për shtyp Haxhinasto theksoi se debati politik i muajve të fundit për problematikën e zgjedhjeve të 2009-tës, duhet të marrë një drejtim të ri.
"Zgjedhje të lira e të ndershme, konkurrimi i ndershëm dhe i barabartë për të gjithë, proces i pakontestuar nga partitë pjesmarrëse dhe gjithpërfshirja e tyre,garantohet vetëm me një kuadër ligjor sipas standarteve ndërkombëtare, pra me një kod zgjedhor sipas këtyre standarteve" theksoi Haxhinasto.
Ai shtoi se është momenti të tregohet maturi politike dhe angazhim institucional për të filluar një proces gjithpërfshirës në përmirësimin e kodit dhe standarteve për zgjedhjet e ardhshme.
"Ligjet nuk përmirësohen duke bërtitur nga rruga dhe as duke hedhur "shaçka" politike! Angazhimi apo tërheqja para një përgjegjësie të tillë do të tregojnë më së miri nëse motivet e opozitës janë përsosja e standarteve të zgjedhjeve apo provokimi i krizës politike" shtoi më tej Haxhinasto.
Ndërkohë ai theksoi gjithashtu se LSI-ja ka filluar punën për përgatitjen e një platforme për përmirësimin e kodit zgjedhor duke riparuar defektet e vëna re gjatë zgjedhjeve të 2009-tës dhe duke zbatuar rekomandimet e OSCE/ODIHR në raportin e saj përfundimtar duke shtuar se këto propozime do të paraqiten në mënyrë institucionale në Parlament.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›