Mediu: Bojkoti, ngërç për vizat dhe integrimin në BE
Kryetari i Partisë Republikane, njëkohësisht ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, thekson se bojkoti i vazhdueshëm i opozitës do të bënte që në sytë e ndërkombëtarëve, Shqipëria të paraqitej si një vend me një ngërç politik, që do të kishte efekte negative në integrim. Në një intervistë për gazetën “Shqip”, Mediu thekson se ky bojkot gjithashtu do të ndikonte negativisht tek ajo pjesë e shqiptarëve të cilët kanë votuar për opozitën dhe të mazhoranca e cila nuk do të arrinte të plotësonte dot ato reforma që kishte premtuar. Po kështu, aleati i PD-së, theksoi se mazhoranca duhet ta marrë në shqyrtim draftin e opozitës dhe të shikojë se çfarë aspekte të tij duhen gjykuar, por pa dalë mbi vendimet e gjykatave dhe ligjeve të vendit. Si ministër i Mjedisit, Mediu, flet edhe për situatën në Shkodër, duke shpjeguar pse jemi gjithmonë e më shumë përpara përmbytjeve të tilla dhe cila është rruga për dalë nga kjo situatë.
Si e gjykoni vendimin e opozitës për të hyrë dhe për të dalë prapë nga Kuvendi, pas dorëzimit të një projketdrafti, i cili kërkon edhe hapjen e kutive të votimit?
E para, them që është një zhvillim pozitiv kthimi i opozitës në Parlament. Pastaj angazhimi i opozitës në aspektin parlamentar, mendoj se duhet të mendohet seriozisht nga lidershipi, por edhe nga gjithsecili deputet. Sepse përfaqësojnë atë pjesë të elektoratit i cili nuk ka votuar për mazhorancën dhe kanë nevojë për një mendim ndryshe brenda Parlamentit. Pastaj, vlen të shikohet si element i tretë edhe projektligji që ata kanë dorëzuar, se çfarë ka aty që duhet gjykuar dhe është i vlefshëm për të ecur në autoritetin që jep ligji dhe Kushtetuta. Mazhoranca ka bërë të qartë qëndrimin se nuk mund të qëndrojë as mbi gjykatat dhe as mbi ligjin, sepse atëherë ne nuk do të ishim një shtet anëtar i NATO-s dhe një shtet i cili vepron bazuar mbi pushtete të ndara dhe të balancuara me njëra-tjetrën. Kështu që mendoj se në këtë aspekt opozita duhet të ketë reflektimin e saj për sa u përket çështjeve, duke dëgjuar jo vetëm zërin e mazhorancës i cili mund t’i duket subjektiv, por edhe zërin e të gjithë faktorëve ndërkombëtarë, që kërkojnë kthimin dhe kontributin e opozitës në Parlament. Nga ana tjetër, opozita duhet të dëgjojë edhe zërin e qytetarëve shqiptarë, të cilët nuk duan të dinë shumë, për dallime politike, kur çështjet shtohen në kuadër të interesit kombëtar, siç është liberalizimi i vizave dhe anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Pas largimit të delegacionit presidencial të Këshillit të Europës, si mund të konsiderohet situata politike në vend edhe pas konstatimeve që ata bënë? A mund të themi ende që politika jonë është në krizë?
Dua të them që i gjithë kontributi i faktorit ndërkombëtar ka qenë pozitiv, por po ta shikojmë dhe ta lexojmë drejt atë që ata kanë shkruar, kanë qenë gjithmonë në konceptin që duhet patjetër që ne duhet të respektojmë institucionin e Kuvendit, duke marrë pjesë aktivisht në jetën parlamentare. Por po kështu të respektojmë shtetin e të drejtës, shtetin e ligjit, elementet e parashikuara në Kushtetutë dhe të gjithë elementet e tjera.
Do të cilësoj ende një krizë, nëse opozita do ta bojkotonte përsëri Parlamentin dhe përsëri për kërkesën e saj për hapjen e kutive?
Unë mendoj se kjo situatë do të krijonte një ngërç në aktivitetin parlamentar, për disa nga ligjet që kërkon një shumicë të cilësuar apo absolute. Sepse Parlamenti, gjatë këtyre gjashtë muajve, ka funksionuar normalisht në miratimin e ligjeve, por duhet patjetër për shkak të obligimeve dhe detyrimeve tona në reforma që kërkojnë një shumicë të cilësuar apo absolute që të ecim në mënyrë të përbashkët në miratimin e ligjeve, siç kemi bërë në të gjithë historikun e Parlamentit të Shqipërisë. Sepse ne kemi vendosur gjithmonë interesa kombëtare para interesave private, qoftë të lidershipit politik të njërës apo tjetrës parti dhe qoftë të interesa të ngushta partiake të njërit apo tjetrit krah.
Pra, ju mendoni se ky bojkot do të ndikonte në çështjet integruese të vendit dhe aq më tepër në çështjen e liberalizimit të vizave, duke qenë se kërkohet të ndodhë këtë gjashtëmujor?
Do të krijonte gjithmonë përshtypjen e një ngërçi politik i cili natyrisht nuk është i vlerësueshëm as nga faktori ndërkombëtar dhe as nga faktori vendas. Janë dy elemente me të cilat lidhet politika. Njëra është sesa përfaqësuese ajo është ndaj qytetarëve që e kanë votuar dhe sa partnere është ajo me ato institucione që ajo aspiron të bëhet pjesë siç është Bashkimi Europian. Kështu që në këtë pikëpamje do të krijonte një lloj handikapi. Megjithatë, besoj se disa pjesë të procesit të anëtarësimit në BE apo liberalizimit të vizave janë pjesë teknike, që tashmë qeveria i ka kryer në të gjithë kapacitetin e tyre të plotë dhe ka marrë vlerësimin për atë që ka bërë.
Nga ana tjetër, në zonën e Shkodrës kemi përsëri një situatë emergjente si pasojë e kërcënimit të përmbytjeve nga rritja e nivelit të ujit në hidrocentrale. çfarë mund të bëhet që situata të mos përsëritet si në mesin e muajit janar, kur një pjesë e konsiderueshme e tokave u përfshinë nga uji?
Unë mendoj se çështjet janë shumë komplekse. Kanë të bëjnë me një seri fenomenesh të aspektit shqiptar, por edhe global. Kjo sepse tashmë shihet që probleme të reshjeve, të përmbytjeve, të shkarjeve vihen re pothuajse në çdo anë të globit. Meqenëse kjo është një çështje komplekse lind nevoja e një studimi të thelluar, por edhe të integruar. Nëse do të marrim p.sh vetëm basenin e Drinit, ne duhet ta shikojmë nga burimi deri në derdhje, edhe aty ku bashkohet me lumenj dhe përrenj të tjerë, për të parë efektet që janë krijuar. Një pjesë e efekteve janë edhe për shkak të njeriut, sidomos shfrytëzimi pa kriter i inerteve, duke rritur shpejtësinë e ujërave dhe njëkohësisht duke krijuar probleme ujërat nëntokësorë. Nga ana tjetër, shpyllëzimet kanë krijuar efektet e tyre pa dyshim në këtë proces, se shkarja dhe ardhja e borës është me një ritëm shumë të madh seç ka ndodhur më parë. Ka probleme të tjera pastaj me erozionin, apo me angazhimin për veprimet që duhen bërë. Ajo që është e rëndësishme lidhet me faktin që ne duhet të bëjmë studime dhe zgjidhje përfundimtare, për t’i futur lumenjtë në kanione siç janë natyrale, por edhe mbase për të krijuar kanione artificiale, për të kontrolluar përmbytjet të cilat krijojnë një kosto shumë më të madhe. Duhet të theksoj se ndërhyrja që është bërë nga subjekte private, apo individë të ndryshëm kanë krijuar një kosto shumë herë më të madhe se ajo që është pretenduar se kanë ndihmuar në zhvillimin ekonomik të zonave të caktuara. Kjo nuk ndodh vetëm me Drinin, kjo po ndodh edhe me Vjosën, po ndodh në Mat etj. Prandaj duhet një vendim në lidhje me këtë çështje dhe ne si ministri e Mjedisit kemi bërë propozimet dhe analizat tona dhe mendoj se duke u integruar me institucionet e tjera do të arrijmë të parandalojmë në të ardhmen situata të tilla.
#