Pëllumbi: Kriza politike do të zgjasë

“Kriza politike do të zgjasë, tani është vetëm fillimi”. Servet Pëllumbi, ish-kryetar i Parlamentit, ish-nënkryetari i socialistëve shqiptarë dhe njëkohësisht ideologu i së majtës shqiptare, ngjatë një interviste për “Shqip” flet për zhvillimet e fundit politike. Sipas zotit Pëllumbi, Partia Socialiste e ka hedhur hapin e vet politik dhe tani pritet lëvizja e mazhorancës.
“Kriza politike nuk mund të zgjidhet as me një hap dhe as me njërën palë, ajo kërkon medoemos veprimin e dy palëve”, thekson ai.
Profesor, Partia Socialiste, hyri në Parlament pas një mungese gjashtëmujore, ndërkohë që nuk ka marrë nga mazhoranca ato kërkesa që ka pasur që pas përfundimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Si e konsideroni këtë hap politik të socialistëve?
Partia Socialiste bëri hapin që duhet të ndërmerret. Hyrja në Parlament ishte fillimi i një zgjidhjeje, por ky hap duhet të pasohet me veprime të tjera politike si nga Partia Socialiste, por sidomos nga mazhoranca. Deri tani nuk po shohim ndonjë hap konkret nga mazhoranca që t’i përgjigjet avancimit të ndërmarrë nga Partia Socialiste si një mundësi reale për ta zhbllokuar situatën. Kriza politike nuk mund të zgjidhet as me një hap dhe as me njërën palë, ajo kërkon medoemos veprimin e dy palëve. Zgjidhjet në demokraci kanë natyrën e kompromiseve dhe që të arrihet ky rezultat duhet të lëshojnë të dyja palët dhe mbi të gjitha duhet të fitojë Shqipëria.
A mendoni se tryeza e Presidentit po zhvillohet në një terren paksa “konspirativ”, duke pritur sinjalet nga palët. Si e gjykoni ju se duhet të zhvillohet ky kapitull i rëndësishëm i asaj që quhet përpjekje për zgjidhjen e krizës?
Unë mendoj se deri tani Presidenti nuk mund të bënte më shumë veçse të ulte palët në tavolinë dhe në rastin konkret një kontribut të rëndësishëm dha edhe faktori ndërkombëtar. Por kjo nuk do të thotë se detyra e Presidentit mbaroi me kaq, unë mendoj se tani është më vendimtare ndërhyrja e Presidentit për të ndërhyrë te palët që të hedhin hapat në drejtimin e duhur, pa pritur për çdo gjë shtytje nga faktori ndërkombëtar.
Pas hyrjes së deputetëve në Parlament, duket se nuk kanë përfunduar problemet brenda Partisë Socialiste. Deputetët e LMN-së kanë nisur një ofensivë të re ndaj lidershipit të PS-së. Sipas jush, fundi i bojkotit i ka dhënë fund edhe kauzës së LMN-së?
Unë mendoj se Partia Socialiste nuk ka pasur përplasje të proporcioneve të mëdha. Ajo që mediat e quajnë LMN, nuk ka qenë një lëvizje e mirëfilltë në kuptimin që kjo shprehje përdoret në politikë. Ne nuk kishim të bënim me një mendim ndryshe, sepse nuk shihnim ndonjë tezë, ide apo platformë që të jetë e ndryshme, me përjashtim të kritikave dhe të synimeve për të zënë vendin e kryetarit nga dikush që pretendon.
Profesor, sipas mendimit tuaj kjo krizë do të vazhdojë gjatë drejt një përplasjeje që do të arrijë kulmin apo do të zgjidhet?
Unë mendoj jemi në fazën e fillimit të zgjidhjes dhe jo te zgjidhja. Ajo kërkon kohë dhe mbi të gjitha kërkon vullnet të përbashkët nga të dyja palët, gjë që nuk po e shohim, prandaj mendoj se kriza do të vazhdojë gjatë.
Shqipëria, përveç krizës politike përballet dhe me një ngërç institucional që ka të bëjë me rinovimin e disa institucioneve që është Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë. Si mendoni se duhet bërë përzgjedhja e kandidatëve për këto institucione?
Ka dy rrugë, ose mazhorancë të imponojë njerëzit e vet dhe t’i çekuilibrojë këto institucione, ose të ekuilibrojë në kuptimin që jo thjesht të kemi raporte partiake, por të zgjidhen profesionistët që dinë dhe kanë dhënë prova në zbatimin e Kushtetutës.
#