E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI, Vasili: KQZ të marrë në dorë situatën

LSI kërkon angazhimin e të gjithë faktorëve për të kontribuar në ecurinë e procesit të pajisjes me karta. Vasili deklaroi se LSI ka vetëm një kundërshtar dhe ky është Kryeminsitri, dhe është në aleancë me socialistët e progresistët. 

TIRANE- Lëvizja Socialsite për Integrim kërkon angazhimin e të gjithë faktorëve për të kontribuar në ecurinë e procesit të pajisjes me karta të qytetarëve. Përmes një deklarate për mediat, Sekretari i përgjithshëm Petrit Vasili theksoi se pas kartave, dështimi i instalimit të kamerave në qendrat e numërimit të votave do të vinte në rrezik serioz standardin dhe rezultatin e zgjedhjeve.
“LSI kërkon prerë nga KQZ që ajo të marrë situatën në dorë, të aplikojë vendime e qëndrime emergjente për zgjidhjen e procesit të instalimit të kamerave, si dhe të informojë qartë partitë dhe publikun e gjerë mbi ecurinë e procesit, sepse kjo ka të bëjë me standartet e zgjedhjeve dhe vërtetësinë e tyre” deklaroi Vasili.
Ndërkaq, sekretari i përgjithshëm i LSI u shpreh se forca e tij politike ka vetëm një kundërshtar dhe ky është Kryeminsitri Berisha, ndërsa deklaroi se LSI është në aleancë me socialistët e progresistët.
“Lëvizja Socialiste për Integrim si në zgjedhjet e 28 Qershorit, ashtu dhe në zgjedhjet e vitit 2005, sikurse dhe në ditën kur u ndryshua Kushtetuta, ashtu si dhe në ditën kur ndodhi Gërdeci, ka një kundërshtar politik që quhet Sali Berisha. Ndërsa në mënyrë të natyrshme si një forcë shumë përparimtare dhe progresiste e së majtës, LSI ka si aleat të saj të natyrshëm socialistët dhe progresistët” tha Vasili përpara gazetarëve. (e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›