E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Vlerësojmë reflektimin e PS për zgjidhjen e ngërçit

Nënkryetarja e LSI-së, Erisa Xhixho, deklaron se kjo forcë vazhdimisht dhe me këmngulje ka bërë thirrje për zbatimin e Rezolutës së Parlamentit Evropian, dhe se asnjëherë nuk është vonë që palët të reflektojnë pozitivisht dhe në sensin e duhur për të lënë mënjanë interesat partiake, e për të vënë mbi to interesat evropiane të vendit.

Sipas Xhixhos, LSI përshëndet çdo iniciativë e cila është në favor të krijimit të kushteve për bashkëpunim dhe kontributeve pozitive për zgjidhjen e problematikës që aktualisht është krijuar pas përfundimit të zgjedhjeve të vitit të kaluar.

“Ka ardhur koha që të hiqet dorë nga inflacioni i deklaratave dhe demagogjia, dhe të kalohet në veprime konkrete dhe aksione politike e ligjore, që të garantojnë një reformë zgjedhore të standardeve evropiane”, deklaron nënkryetarja e LSI-së.

Më poshtë ajo shton se nga kjo pikëpamje, “e konsiderojmë një shenjë pozitive reflektimin ndaj ftesës së bërë me kohë prej nesh, përmes qëndrimit të mbajtur së fundmi në emër të Partisë Socialiste nga Sekretari i Përgjithshëm i saj, për t’iu drejtuar Komisionit të Venecias që të shprehet në lidhje me qëndrimin që duhet mbajtur ndaj fletëve të votimit dhe për ti çelur rrugë kështu Komisionit Hetimor Parlamentar”.

Sipas nënkryetares së LSI-së, koha e humbur për shkak të qëndrimeve refraktare dhe inatçore duhet të shërbejë që palët të përshpejtojnë ritmet e angazhimit konkret dhe të kontributeve reale për kapërcimin e gjendjes së krijuar.

“Duke shpresuar që në qëndrimi më i fundit i PS të jetë fillimi i një procesi bashkëpunues, e ftojmë lidershipin socialist të integrohet dhe të bëhet pjesë e tërë procesit të reformave evropianizuese të vendit, sepse vetëm bashkëpunimi dhe respekti ndaj institucioneve legjitime të vendit, kontributet pozitive dhe alternativat konkurruese janë ato që pret vendi në këtë kohë sfidash të mëdha”, deklaron nënkryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Erisa Xhixho.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›