LSI: Xhelal Mziu dhe Asllan Dogjani dhunuan aktivistët tanë. Reagon policia
Kryetari i bashkisë Kamzë në Tiranë, Xhelal Mziu dhe kandidati për deputet i PD, Asllan Dogjani kanë kërcënuar dhe dhunuar të shtunën pasdite aktivistë të LSI.
Sipas burimeve policore, janë dhunuar saktësisht pesë aktivistë të LSI-së.
Ndërkohë që drejtori i Policisë Bashkiake, Sami Rasha dhe Përparim Kallaverja kërcënuan me armë, policia ka shoqëruar aktivistët e LSI, ndërsa dhunuesit janë të lirë.
Nga terreni informohemi se komisariati i policisë Kamzë ka kërkuar përforcime për të terrorizuar njerëzit. Policia ka kërkuar në vendngjarje edhe praninë e RENEA-s.
Ndërkaq ka reaguar policia mbi këtë informacion. Sipas policisë, efektivët kanë shoqëruar në dalje të Kamzës shtetasit Fatmir Kurpali, Isak Kurpali, Fatri Kurpali, Klevis Kasmi dhe Ervis Ibro.
Sipas policisë, këta persona u shoqëruan pasi u bë një kallëzim nga Policia Bashkiake në Kamëz.
Kallëzimi u bë për dhunimin e 2 policëve bashkiakë. Dy policët e dhunuar janë Leon Tollja dhe Rasim Mziu. Punonjësit e Policisë Bashkiake pretendojnë se janë dhunuar me mjete të forta nga 4 personat e shoqëruar, aktivistë të LSI. Po kryejmë çdo lloj veprimi konform ligjit, citon policia mbi këtë ngjarje.