E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI bashkon votat me PS në Bashkinë e Tiranës, pritet shkarkimi i kreut të këshillit, Kosovrasti

Gazeta Shqip

keshill bashkiakVotimi i djeshëm në kuvend që pasoi me shkarkimin nga posti i anëtarit të KQZ të përfaqësuesit të LSI, Ilirjan Muho në institucionin më të lartë zgjedhor nuk është pritur mirë nga këta të fundit, që duket se kanë gati hakmarrjen e parë ndaj qeverisë dhe kryeministrit Sali Berisha. Kështu, këshilltarët e LSI në Bashkinë e Tiranës kanë zhvilluar ditën e sotme një mbledhje e cila sipas tyre synon të vendosë balancën në pushtetin vendor, e njëjta gjë në fakt, që u pretendua edhe prej të djathtëve me vendimin e fundit për KQZ.

Bashkimi i forcave PS-LSI në bashkinë me të madhe në vend, ku e majta e bashkuar përbën shumicën, do të thotë praktikisht paralizim i projekteve të bashkisë dhe kryetarit Lulzim Basha.

Kreu i këshilltarëve socialistë Aldrin Dalipi ka konfirmuar se në takimin e sotëm me kolegë të LSI-së në Këshillin Bashkiak, është firmosur kërkesa, e cila do t’i drejtohet Këshillit për shkarkimin e kreut Njazi Kosovrasti.

“Pas shkarkimit të tij, do të marrim drejtimin e këtij Këshilli Bashkiak”, u shpreh Dalipi, sipas të cilit ky zhvillim erdhi pas ngjarjes së rëndë që ndodhi një ditë më parë në Parlamentin shqiptar me zëvendësimin e një anëtari të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. ”Koalicioni i ri mes dy kryetarëve të partive tona, nga sot kalon edhe në bashkëpunimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës, për të garantuar qytetarët që vota e tyre, qytetaria, demokracia do të jenë në qendër të punës sonë. Kjo që po ndodh këtu është një proces shumë i gjerë që do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë”, paralajmëroi Dalipi.

Ndërkohë më herët, në një deklaratë për media, nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ylli Manjani, njoftoi bashkimin e votave të kësaj force me PS-ne në këshillat vendorë.

Në këto kushte, duke vlerësuar situatën aktuale me shumë kujdes dhe përgjegjshmëri të lartë qytetare, ne vlerësojmë se ekziston vetëm një objektiv politik i përbashkët i gjithë opozitës shqiptare dhe ky është largimi i menjëhershëm dhe përfundimtar i Sali Berishës nga qeveria dhe nxjerrja  e Partisë Demokratik, që tashmë është Parti Shtet,  në opozitë. Ky është objektiv, jo thjesht i opozitës por tashmë i shqiptarëve që në shumicë paguajnë kostot i diktatit të partisë shtet dhe të sjelljes së diktatoriale të Kryeministrit të vendit.

Tashmë fillon projekti: Çdo votë duhet të hidhet kundër këtij diktati. Objektiv tjetër më të rëndësishëm se ky opozita shqiptare nuk ka arsye të ketë. Ky projekt do të udhëhiqet nga opozita e bashkuar, e cila në mënyrë të menjëhershme do të marrë hapa konkretë për këtë çështje. Janë hapa të cilat do të ndërmerren në mënyrë të koordinuar, tha Manjani. Ai theksoi se ka ardhur koha që opozita e bashkuar të kërkojë garanci shtesë në kushtet kur mungon ligji. Të kërkojë garanci shtesë për menaxhimin e procesit zgjedhor. Ndryshe, ne nuk mund të lejojmë që vota e shqiptarëve të numërohet vend e pa vend, vota e shqiptarëve të administrohet nga shumica të dhunshme dhe deri atëherë ne do ti kërkojmë, në mënyrë të veçantë, atyre partive që kanë propozuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, sepse ky është parimi që vendosi kryeministri tashmë, ta politizojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, tu kërkojmë përfaqësuesve të tyre apo të zgjedhurve nga ata në KQZ që të mos bëhen pjesë e vendimmarrjeve e KQZ-së, vendimmarrje të cilat diktohen nga shumica 4 me 3. Asnjë vendim 4 me 3, nga çastet që flasim, për ne nuk do të jetë i pranueshëm, tha Manjani.

16 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)

LSI bashkon votat me PS në Bashkinë e Tiranës, pritet shkarkimi i kreut të këshillit, Kosovrasti burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›