E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI, dakord me presidentin

Të shtunën shtypi i shkruar u hap me një deklaratë të sekretarit të grupit demokrat Eduart Halimi, ku shprehej vullneti i Partisë Demokratike për të shfrytëzuar hapësirat ligjore për emërimin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese përpara shtatorit.

Siç raporton një pjesë e gazetave, kjo nismë synon të mënjanojë presidentin e Republikës.

Gjë që është e pamundur nga pikpamja ligjore, sepse si Kushtetuta edhe ligji organik i gjykatës kushtetuese i njohin presidentit të drejtën e emërimit të kryetarit, me pëlqimin e parlamentit.

Por mesa ajo që është keqinterpretuar në këtë deklaratë, ka qenë kjo frazë “ne i kemi të gjitha mjetet për të vendosur respektimin e ligjit gjithkund, sigurisht, në institucionin kryesor që është garant i Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese”.

Në fakt zoti Halimi ka shtuar: “menjëherë pas përzgjedhjes së një kandidati nga presidenti i Republikës në një afat të shkurtër kohor”, çitim që raportohet nga “Rilindja Demokratike”, organi zyrtar i partisë.

Në këto kushte deputeti Halimi në një deklaratë të dytë ka sqaruar edhe njëherë se vullneti dhe mjetet ligjore ekzistojnë për të mbledhur Parlamentin në seancë të jashtëzakonshme vetëm nëse presidenti i Republikës do të sjellë emrin për kryetarin e Gjykatës Kushtetuese përpara muajit shtator.

Në çdo rast deputeti Halimi vazhdon të shprehë qëndrimin se presidenti është në kundërshtim të hapur me Kushtetutën.

Por nuk janë të këtij mendimi në selinë e LSI-së. Sekretari i përgjithshëm i kësaj partie shpreh edhe njëherë mbështetje ndaj kreut të shtetit.

“Unë në emër të LSI-së deklaroj se raporti mes Presidentit dhe pushteteve të tjera, më konkretisht, mes presidentit të Republikës dhe Kuvendit të Shqipërisë, mes Presidentit të Republikës dhe qeverisë, mes Presidentit të Republikës dhe organeve të drejtësisë, janë marrëdhënie që ndërtohen mbi bazë të Kushtetutës, që funksionojnë në zbatim të Kushtetutës dhe që duhen vlerësuar dhe gjykuar vetëm në raport apo në funksion të korrektesës së tyre ndaj Kushtetutës së vendit”, është shprehur Luan Rama.

LSI ka mbajtur qëndrime të kundërta me Partinë Demokratike, në favor të tërë emrave të sjella nga Presidenti i Republikës për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese dhe të Lartë.

Po ashtu, LSI është shprehur kundër ndryshimeve të propozuara nga demokratët në ligjin për SHISH-in.

Por zoti Rama bën kujdes të sqarojë se përkundër disa komenteve të fundit, mazhoranca PD-LSI nuk njeh asnjë ngërc.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›