E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI-ja i bashkohet nismës së FDE-së



Lëvizja Socialiste për Integrim iu bashkua dje nismës së Forumit për Demokraci dhe Etikë për të shpallur 17 janarin, Ditë Lutjeje dhe Reflektimi Kombëtar.

Në kuadër të kësaj nisme, kreu i LSI-së, Ilir Meta, dhe drejtori i FDE-së, Arian Galdini, patën një takim në selinë e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kreu i LSI-së, Meta, e vlerësoi si mjaft pozitive këtë nismë. “Kemi nevojë që të mos mbetet vetëm për 17 Janarin, por kjo ditë e rëndësishme e simbolike, të mbajë të gjallë në zemrat dhe ndërgjegjen tonë, sidomos të politikanëve, mesazhin e bashkimit, të bashkëpunimit, të gjithëpërfshirjes dhe të paqedashjes", - tha Meta.

Ndërsa drejtori i FDE-së, Arian Galdini, tha: “I kërkuam z. Meta, si një shtetas i vendit tonë, që të bëhet pjesë e kësaj nisme, për të bërë në Shqipëri një politikë, e cila i shërben qytetarit, për të bërë në Shqipëri një politikë ku pushtetari zhvishet nga pushteti dhe kthehet në një qytetar, duke i shërbyer pikërisht atij elementi, i cili sjell një Shqipëri ndryshe”.

Sesioni parlamentar nis me raportet vjetore të institucioneve

Sesioni i ri parlamentar që do të nisë më 19 janar, përfshin në kalendarin e punimeve edhe raportimin vjetor të organeve kushtetuese dhe institucioneve kryesore në varësi të Kuvendit, lidhur me veprimtarinë e tyre përgjatë vitit 2008.

Në axhendë të Kuvendit pritet që të jetë raportimi i përvitshëm i këtyre institucioneve, nis në fund të muajit janar dhe të përfundojë brenda muajit prill.

Miratimi gjatë javës së ardhshme i programit tremujor të punës së Kuvendit nga Konferenca e Kryetarëve do të përfshijë dhe grafikun e raportimit në Parlament të institucioneve kushtetuese dhe atyre që varen nga organi legjislativ më i rëndësishëm në vend. Fillimisht, këto raporte paraqiten para komisioneve parlamentare dhe më pas debatohen në seancë plenare, ku Parlamenti miraton dhe një rezolutë për punën e çdo institucioni. Kështu, në javët në vazhdim, do të raportojnë në Kuvend drejtues të Komisionit të Shërbimit Civil, të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Avokati i Popullit, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Këshilli Kombëtar i Radiotelevizionit etj. Cikli i raportimeve të përvitshme në Kuvend do të mbyllet rreth fundit të muajit prill, pasi sesioni parlamentar që do të nisë pas një jave, është i fundit për këtë legjislaturë, për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme që do të mbahen këtë vit.

Shtabi i Emergjencave, masa për zonat e bllokuara nga bora

Shtabi Qendror i Emergjencave Civile, me në krye zëvendëskryeministrin dhe kryetar të tij, Genc Pollo, që ka në përbërje dhe anëtarë të kabinetit qeverisës, mori dy ditë më parë në shqyrtim situatën e krijuar në disa zona të vendit nga rifillimi i reshjeve të dëborës, si dhe përcaktuan nevojat për hapjen e akseve rrugore, sigurimin e furnizimeve më kryesore etj. Shtabi vendosi që 6 automjete borëpastruese të Xhenios të Forcave të Armatosura të dislokohen në segmentin Pukë – Fushë-Arrëz – Shën Mëri – Kukës, Rrëshen – Lurë, Bulqizë – Maqellarë dhe në komunat e Librazhdit. Nga mëngjesi i ditës së djeshme ato u janë bashkuar atyre të parkut të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve në këto akse rrugore.

Mjetet speciale shtesë nga mëngjesi i sotëm janë angazhuar në ndihmë të Operatorit të Transmetimit të Energjisë (OST) për ngritjen e 6 shtyllave të tensionit të lartë 110 kW, të rrëzuara nga furtuna në segmentin Lezhë – Bushat, në mënyrë që të rifillojë furnizimi me korrent i zonave të prekura nga avaria.

Ndërkohë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës po ndjek me interes kushtet e motit për rifillimin e mësimit në disa shkolla. Në zonat më problemore, shkollat do të vijojnë ende të mbyllura deri më datë 12 janar, sikurse janë ato në rrethin e Dibrës me përjashtim të qytetit Peshkopi dhe komunës Maqellarë; në komunën Fan dhe qytetin e Rubikut (Mirditë); në rrethin e Kukësit 16 shkolla në komunat Kolsh, Malzi, Zapot, Ujmisht, Bushtricë, Grykë-Caje, Arren; në rrethin e Hasit 7 shkolla në komunat Golaj, Perollaj, Kostur, Tregtan, Metaliaj, Gjinaj, Kishaj; në rrethin e Elbasanit 6 shkolla në komunës Shmil; në rrethin e Tropojës 20 shkolla në komunat Margegaj, Bytyç, Tropojë, Llugaj, Fierzë, Bujan, Lekbibaj; në rrethin e Librazhdit do të ndërpritet mësimi, përveç shkollave në qytetin e Librazhdit e komunave Rajcë, Qukës, Polis dhe Hotolisht. Ministria e Shëndetësisë është ngarkuar me detyrën që të dërgojë medikamente e ndihmë mjekësore në të gjitha krahinat ku është evidentuar mungesa e tyre, me prioritet, zonat e bllokuara.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›