Shoqatat e ish-të përndjekurve: President, dekreto hapjen e dosjeve!
Ish-të përndjekurit politikë i kërkojnë Presidentit të Republikës, Bamir Topi, që të dekretojë sa më parë ligjin për pastërtinë e figurave zyrtare. Instituti i ish-të Përndjekurve Politikë, shoqata “Musine Kokalari” si dhe një sërë shoqatash në të gjithë vendin i kanë dërguar një letër kreut të shtetit ku veç të tjerash, kërkojnë që t’u hiqen të gjitha dekorimet persekutorëve komunistë. Letra e djeshme është firmosur nga Instituti i Integrimit të ish-të Përndjekurve Politikë, shoqata “Musine Kokalari”, Shoqata Antikomuniste e ish-të Persekutuarve Politikë dhe Shoqata e ish-të Persekutuarve Politikë, Vlorë, Lezhë, Shkodër, duke pasuar thirrjen e bërë dy ditë më parë nga kreu i Institutit të Integrimit të ish-të Përndjekurve Politikë, Simon Mirakaj. Prej më se tri javësh Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin “Për pastërtinë e figurave zyrtare dhe pritet firma e kreut të shtetit. Në këtë letër këto shoqata i bëjnë thirrje Presidentit ta dekretojë ligjin në mënyrë që ai të mos mbetet në letër. “Zoti President, ne përfaqësuesit e shoqatave të ish-të burgosurve dhe të persektuarve politikë, ju bëjmë thirrje ta firmosni këtë ligj sa më parë, në mënyrë që ky ligj të mos mbesë në letër, dhe tek shqiptarët të rëndojnë përjetësisht hijet e mospendimit të ndërgjegjes”, - shkruhet në letër.
Ish-të përndjekurit e regjimit komunist thonë: “Logjika përmes këtij ligji kërkon asgjë më shumë sesa pastrimin e administratës së shtetit nga persekutorët dhe ekzekutorët tanë. Madje, ne nuk mund t’i cilësojmë ata as si “ish-persekutorë”, pasi firmat e tyre vazhdojnë nënshkruajnë në shkresat e institucioneve më të rëndësishme të shtetit”, - vazhdojnë ata. Duke pranuar se kanë disa rezerva ndaj ligjit e konkretisht për sanksionet, sipas tyre, ndërgjegjja njerëzore kërkon qetësimin dhe kullimin e saj, ndarjen përfundimisht nga drejtuesit dhe mentaliteti i të kaluarës mizore të komunizmit. “Kanë kaluar 18 vjet dhe asnjëri prej xhelatëve tanë nuk ka kërkuar as të falur publikisht për krimet dhe makthet që rëndojnë mbi ndërgjegjen e tyre. Mjaft më! Toleranca dhe falja njerëzore ka caqet e vet, po aq njerëzore. Nuk mund të lejohet më që në emër të demokracisë dhe vlerave të lirisë, për të cilën ne vuajtëm, u burgosëm dhe u ekzekutuam, të shohim sërish të njëjtët fytyra duke bërë ligjin, politikën apo aq më dhimbshëm, duke dhënë drejtësi”, - shkruajnë ish-të përndjekurit. Në letër theksohet kërkesa për t’i hequr çdo dekoratë që Presidenti u ka dhënë ish-persekutorëve komunistë, pasi, siç theksojnë ish-të përndjekurit, asnjë dekorim i tillë nuk mund t’i ndryshojë ata. “Ne kërkojmë që Ju ti tërhiqni dekorimet, që u bëtë persekutorëve tanë komunistë, sepse historia po i dënon ata me përbuzje dhe asnjë dekoratë s’mund t’i ndriçojë dhe të zbusë errësirën e shpirtit të tyre. Lavdia dhe nderimi i përket ndërgjegjes së burgosur për vlerat e njerëzimit dhe persekutorëve të tij”, - thuhet në letër. “Ndaj, - theksojnë ata, - Presidenti duhet të dekretojë sa më parë këtë ligj, sepse Shqipëria këtë pranverë hyn në radhët e Aleancës më të madhe të lirisë, kryen zgjedhjet parlamentare, synon të konkurrojë sa më parë për statusin e vendit kandidat për në BE”. Njëkohësisht, shoqatat e ish-të burgosurve e ish-të përndjekurve politikë dënojnë deklaratat dhe qëndrimet e atyre që thonë se ligji për pastërtinë e figurës së zyrtarëve bie ndesh me Kushtetutën. Sipas tyre, të gjithë ata që pretendojnë se gjoja cenohen të drejtat e njeriut dhe Kushtetuta, kërkojnë vetë që të lënë në harresë kalvarin e pafund 4-vjeçar, jo vetëm të shtresës sonë, por të gjithë shoqërisë shqiptare.
“Ngrihuni dhe qëndroni mbi të gjitha interesat e vogla politike dhe mbi avokaturën më të turpshme që po i bëhet diktaturës komuniste”, - përfundon letra e shoqatave të ish-të përndjekurve politikë.