E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Jashtme: Çdo shërbim konsullor, me postë



Në ambasadat shqiptare në vendet e tjera nuk do të ofrohen më shërbime konsullore për shtetasit shqiptarë që jetojnë atje. Ministria e Jashtme ka vendosur që këto shërbime t’i kryejë vetë ajo nëpërmjet sistemit postar dhe pagesave nëpërmjet bankave. Kjo masë e re vjen si përgjigje ndaj problemeve të korrupsionit në përfaqësitë diplomatike të krijuara për këtë shkak. Siç njofton zyra e shtypit: “Ministria e Punëve të Jashtme urdhëroi dje të gjitha përfaqësitë shqiptare jashtë vendit, ambasadat dhe konsullatat shqiptare, që, duke filluar nga data 26 janar 2009, të gjitha veprimet konsullore në shërbim të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, të kryhen vetëm nëpërmjet shërbimit postar dhe pagesat për të gjitha shërbimet e ofruara do të kryhen vetëm nëpërmjet sistemit bankar”. Ndërkaq, bëhet e ditur se nga ky rregull përjashtohen vetëm aplikimet për pasaportë, nënshkrimi i prokurave dhe aplikimi për viza, për të cilat aktet normative në fuqi kërkojnë paraqitjen fizike të vetë personit. Vetë ministria pranon se ky vendim është në shërbim të shmangies së korrupsionit në stafet e ambasadave nëpërmjet kontakteve fizike me personat që kërkojnë shërbimet konsullore. “Kjo masë, duke shmangur kontaktin fizik me personelin e përfaqësive shqiptare jashtë vendit, ka për qëllim rritjen e transparencës, përmirësimin e cilësisë së shërbimit si dhe eliminimin e çdo mundësie abuzimi duke u gjendur kështu më pranë nevojave të shtetasve shqiptarë”, - thuhet në njoftimin e ministrisë.

Sipas këtij urdhri, që nga muaji shkurt të gjithë shtetasit shqiptarë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit amë do të përballen me një tjetër procedurë për problemet e tyre, siç janë legalizim dokumentesh apo shërbime të tjera të kësaj natyre, duke mos kaluar nëpërmjet burokracive të zyrtarëve, por vetëm nëpërmjet postës. Atyre do t’u duhet të presin vetëm aq kohë sa shërbimi postar të kryhet nga shteti ku jetojnë në shtetin shqiptar, por nuk do t’u duhet të fusin para nën dorë për të marrë shërbimin.

Urdhri i djeshëm mban firmën e ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, dhe ngarkon të gjithë titullarët e përfaqësive diplomatike dhe konsullore të marrin masat e nevojshme për të bërë njoftimin dhe publikimin e këtij urdhri për qytetarët shqiptarë. Gjithashtu, bëhet e qartë se nëse ky urdhër nuk zbatohet ashtu siç duhet, do të ketë masa penalizuese për përfaqësuesit diplomatikë, të parashikuara në “Rregulloren e shërbimit të jashtëm të Republikës së Shqipërisë”.

Topalli në Itali, do takohet me Napolitanon

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, gjendet në Itali për të marrë pjesë si e ftuar speciale e Kolegjit Evropian të Parmës, në ceremoninë e përurimit të vitit të ri akademik. Kjo vizitë pritet të mos mbetet thjesht në kuadër akademik, por kryeparlamentarja do ta shfrytëzojë atë për të zhvilluar disa takime politike, një ndër të cilat pritet të jetë takimi me kreun e shtetit italian, Xhorxho Napolitano. Sipas zyrës së shtypit pranë Kuvendit: “Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë pritet të zhvillojë një takim të veçantë me Presidentin e Italisë, zotin Napolitano, me personalitetin evropian Delor, si dhe me përfaqësues të lartë të qarqeve politike e akademike evropiane”. Natyrisht, në këto takime Topalli pritet të kërkojë mbështetje për integrimin e vendit tonë në strukturat euroatlantike dhe të bëjë një ekspoze të reformave që Shqipëria po ndjek në këtë kuadër. Në këtë ceremoni, e cila shënon një ngjarje të rëndësishme për Kolegjin Evropian të Parmës, marrin pjesë personalitete të larta të botës akademike dhe politike të Evropës. Kolegji Evropian i Parmës është një ndër më prestigjiozët në Evropë në fushën e përgatitjes së eurokratëve. Në tryezën e rrumbullakët me temë “Kujtesa është e ardhmja”, që do të mbahet në kuadrin e kësaj ceremonie, do të përshëndesë Presidenti i Italisë, Xhorxho Napolitano dhe ish-Presidenti i Komunitetit Evropian në vitet 1985-1994, Zhak Delor.

Shkrim anash

Topi: Prishtina, një qytet evropian

Një vit më parë Bashkia e Prishtinës e shpalli “Qytetar Nderi”, ndaj nuk kishte si të mos ikte nga Kosova dje pa vizituar këtë bashki. Ditën e dytë të vizitës së tij në Kosovë, Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, e nisi pikërisht në Bashkinë e Prishtinës. I befasuar nga ndryshimet e pësuara përgjatë një viti nën pavarësinë e saj të plotë, kryetari i shtetit shqiptar nuk fshehu emocionet teksa takoi drejtuesit e bashkisë. "Jam i bindur se Prishtina e viteve që do të vinë do të jetë një qytet-Prishtinë shumë e bukur me një kompozicion modern ku do të ketë të ndërthurura si pjesë urbanistike, ashtu edhe pjesën e ambienteve të gjelbra, do të jetë një qytet pa diskutim qytet evropian, ashtu si i takon të jetë Prishtina", - tha Presidenti Topi. Kurse kryetari i Bashkisë së Prishtinës, z. Isa Mustafa, vlerësoi vizitën e djeshme të kryetarit të shtetit të Shqipërisë, z. Bamir Topi, teksa e informoi atë për qeverisjen lokale të kryeqytetit të Kosovës. "Ne u takuam me Presidentin e Shqipërisë, u takuam me qytetarin tonë, sepse e kemi shpallur “Qytetar Nderi”, e informuam atë me proceset aktuale lidhur me detyrat që ne planifikojmë t’i realizojmë këtë vit dhe viteve që do të vijnë, kërkuam që t'i këmbejmë përvojat në të ardhmen më të ngushta në mes Prishtinës Tiranës dhe qyteteve tjera të Shqipërisë, Tiranës, Durrësit, Shkodrës, Elbasanit, Vlorës etj.". Më pas, Presidenti Topi dhe kryebashkiaku i Prishtinës u nisën drejt Muzeut të Kosovës ku vizituan eksponatet ilire dhe u informua për së afërmi me vlerat e tyre. Pas Muzeut, kreu i shtetit shqiptar vizitoi edhe Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës. "Kam rastin të vlerësoj të gjithë aktivitetin e Akademisë të Shkencave të Kosovës, e cila ka zhvilluar, sikur që e dini, në momente të ndryshme të historisë së dhimbshme, por edhe të lavdishme të Kosovës. Ka operuar në kushte mjaftë të vështira, por kanë ditur që me mjaft kurajo dhe guxim dhe me mjaft intelektualizëm të ruajnë identitetin dhe t'ia përcjellin këtë shoqërisë", - tha Topi. Pas takimit me akademikët e Kosovës, Presidenti i Shqipërisë, u nis për në qytetin e Ferizajt, ku dhe u shpall “Qytetar Nderi” i këtij qyteti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›