E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI-ja lë në baltë PD-në për betejën me Presidentin dhe Kushtetuesen

Gumi: Topi gaboi. Naço: Kuvendi kushtëzoi Presidentin pas rrëzimit të gjyqtarëve

Gjykata Kushtetuese thellon përçarjen brenda koalicionit qeverisës. Partia Demokratike ka humbur sërish mbështetjen e LSI-së për një çështje tjetër, siç është ajo e plotësimit të vendeve vakante të Gjykatës Kushtetuese. Sipas LSI-së, Vladimir Kristo duhet të qëndrojë në detyrë deri në ardhjen e kryetarit të ri, ndërsa sipas PD-së, Kristo duhet të ndjekë shembullin e paraardhësit të tij në këtë detyrë Gjergj Sauli, i cili, me mbarimin e mandatit, dha dorëheqjen. Nënkryetari i Kuvendit, njëkohësisht deputeti i LSI-së, Nasip Naço, ka dalë dje në mbrojtje të Presidentit Bamir Topi, duke vënë gishtin e fajtorit te Kuvendi. “Kreu i shtetit u kushtëzua pikërisht nga zvarritja, që demokratët i bënë emërimit të anëtarëve të rinj të gjykatës, por edhe për shkak të refuzimit të anëtarëve me mandat për të marrë postin e kryetarit”, tha Naço. Pas votimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë, qëndrimit ndryshe për ligjin organik të Shërbimit Sekret, LSI-ja ka ngritur sërish zërin kundër demokratëve për sulmin që i bëhet Presidentit Bamir Topi. Demokratët, nga ana tjetër, kanë vazhduar sërish të ndjekin të njëjtën linjë akuzash. Mandati kushtetues i kryetarit të Gjykatës Kushtetuese përfundoi më 7 qershor të 2010-s. Presidenti i Republikës ka deklaruar se zëvendësimin e kreut aktual Vladimir Kristo do ta bëjë në muajin shtator, duke e lënë në detyrë edhe gjatë verës. Ky deklarim ka bërë që demokratëve t’u soset durimi dhe të shpërthejnë ndaj Presidentit me reagime të ashpra dhe të kërkojnë mbledhjen e Parlamentit me urgjencë.

Qëndrimi i LSI-së

Fryma kushtetuese ndan Partinë Demokratike nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Hendeku që filloi me ndarjen e votave për dekretet për anëtarët e Gjykatës së Lartë, si dhe për ligjin e Shërbimit Informativ të Shtetit, thellohet më tej me mospajtim të dy aleatëve edhe në interpretimin kushtetues për dekretimin e munguar të kreut të Gjykatës Kushtetuese. Sulmi i demokratëve ndaj Presidentit duket i pamotivuar për Lëvizjen Socialiste për Integrim. Sipas nënkryetarit të Parlamentit, Nasip Naço, kreu i shtetit u kushtëzua pikërisht nga zvarritja që demokratët i bënë emërimit të anëtarëve të rinj të gjykatës, por edhe për shkak të refuzimit të anëtarëve me mandat për të marrë postin e kryetarit.

Qëndrimi i PD-së

Demokratët janë të bindur tashmë në hipotezën e tyre, se Presidenti i Republikës e ka shkelur rëndë ligjin themeltar të shtetit. Mazhoranca duket se po i përdor deklaratat e tilla vetëm si një shashkë, pasi e ka të pamundur të arrijë në ndërmarrjen e një nisme për procedurë kushtetuese për shkarkimin e Presidentit, sepse çështja do të përfundonte në Gjykatën Kushtetuese dhe mazhoranca nuk do të kishte në këtë rast forcën për të dalë e fituar nga kjo lëvizje. Deputeti i PD-së, Viktor Gumi, thotë se interpretimi i ligjit themelor të çon në logjikën e pastër se Presidenti i Republikës ka shkelur Kushtetutën. Gumi sjell një tjetër arsyetim, kur thotë se vetë ligji themelor nuk e detyron Presidentin të zgjedhë mes 9 anëtarëve, çfarë nënkupton se ai mund ta kishte zgjedhur kreun e ri dhe ndër pesë gjyqtarët me mandat.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›