E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, nga 15 gushti parkimet me pagesë

Qendra, zona e Bllokut, rruga “Myslym Shyri” përfshihet në projektin pilot. Masa për ata që nuk respektojnë rregullin

Një projekt-pilot për administrimin e ri të sistemit të parkimit me pagesë do të fillojë të zbatohet prej datës 15 gusht, në dy zona kryesore të Tiranës, bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe sheshi “Italia”, pranë stadiumit “Qemal Stafa”. Sipas Bashkisë së Tiranës, qëllimi është ngritja e një sistemi të ri administrimi të parkimit, ku të ndahet sistemi i shitjes së biletës nga sistemi i kontrollit. Objekti i mësipërm parashikon fillimin e aplikimit të pagesës së tarifës së parkimit, (njëqind lekë/orë), miratuar nga Këshilli Bashkiak i Qytetit. Drejtori i Drejtorisë së Transportit dhe Lëvizshmërisë në Bashkinë e Tiranës, z. Enton Punavia, informoi mbi detajet e këtij projekti të rëndësishëm, i cili synon gjithashtu të lehtësojë trafikun e kryeqytetit. “Projekti do të ndihmojë shumë në mirëmenaxhimin e trafikut rrotull qendrës së qytetit të Tiranës, në reduktimin e ndotjeve urbane. Ky projekt synon të promovojë zbatimin e politikave të reduktimit të lëvizjes me mjete private, duke i dhënë prioritet lëvizjes me mjetet e transportit publik, biçikleta, këmbësorë. Po ashtu, projekti ka si qëllim t’u japë përparësi zonave këmbësore në kryeqytet, si sheshi “Skënderbej”, ndërkohë që synon gjithashtu të reduktojë në mënyrë të ndjeshme lëvizjet me mjete private motorike, në zonën rreth qendrës së qytetit, gjë e cila do të ndihmojë në uljen e ndotjes së ambientit dhe rritjen e cilësisë së jetës në komunitet”, tha Enton Punavia.

Zonat e projektit pilot

Konkretisht, zonat ku do të aplikohet projekti pilot i parkimit publik me pagesë do të jenë bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, duke filluar nga kryqëzimi mes dy ministrive, deri tek ura e madhe e “Dajtit”, bulevardi “Gjergj Fishta”, nga ura e madhe e “Dajtit” deri tek ura “Dëshmorët e 4 Shkurtit”. Po ashtu një tjetër zonë ku do të zbatohet projekti nis nga kryqëzimi i rrugës “Myslym Shyri” me rrugën “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, deri tek ura e re e Bllokut. Gjithashtu, zona tjetër është zona përpara stadiumit “Qemal Stafa”, që është sheshi “Italia”, me të gjithë rrethimet e tij, si nga krahu lindor, krahu verior dhe nga krahu perëndimor.

Bileta, e cila do të ketë të gjitha elementet e sigurisë, është e ndërtuar në mënyrë të thjeshtë dhe është lehtësisht e përdorueshme nga çdo qytetar. Ajo vendoset në një vend të dukshëm, në pjesën e brendshme të xhamit të makinës, për të qenë lehtësisht e identifikueshme nga kontrollorët.

Kontrollet

Do të jenë strukturat e policisë bashkiake ato që do të bëjnë kontrollin dhe do të marrin masat përkatëse administrative. Për kundërvajtësit e sistemit do të aplikohen sanksionet e parashikuara në Kodin Rrugor, sanksione që arrijnë deri në heqjen e mjetit me karroatrec. Disa pika shitje do të vendosen në afërsi të vendparkimeve publike me pagesë, të parashikuara në këtë projekt-pilot, në distanca të afërta, duke u mundësuar qytetarëve lehtësinë e pajisjes me biletë, në çdo moment që ata do të vendosin të parkojnë mjetet e tyre në zonat e mësipërme, zona të cilat do të jenë të pajisura me sinjalistikën e nevojshme rrugore.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›