Nënë Tereza e neglizhuar
Më pak se një muaj nga 26 gushti, data që shënon 100-vjetorin e lindjes së Nënë Terezës, projekti i memorialit të bamirëses mbetet ende në tryezën e diskutimit. Dje, në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, grupi i punës është mbledhur sërish nën kryesimin e Nikollë Lesit, për të diskutuar mbi projekt-idenë e memorialit. Projekti arkitektonik që është marrë përsipër nga fondacioni “Nënë Tereza”, i drejtuar nga znj. Liri Berisha, e që do të realizohet nga arkitekti Marin Biçoku, ende nuk ka arritur në një variant përfundimtar, të pranuar nga grupi i punës. Drejtori i Muzeut Kombëtar, z. Luan Malltezi, një prej anëtarëve të grupit të punës, shpjegon se është caktuar përfundimisht vendi ku do të ngrihet memoriali. Ashtu siç ishte diskutuar edhe një mbledhje më parë, është pikërisht hapësira mes Rektoratit të Universitetit të Tiranës dhe Qendrës së Studimeve Albanologjike, apo thënë më thjesht aty ku sot janë “Kolonat”. Ky variant, është i dyti pas propozimit të parë të hedhur poshtë që memoriali të ngrihej në krah të Universitetit e në drejtim të Gardës. Në vija të përgjithshme, projekti mbetet po ai i propozuar më parë. Flitet për ngritjen e një biblioteke, një salle filmi si dhe të një paraqitjeje përkujtimore për Nënë Terezën, i përkufizuar më parë nga zoti Lesi si muze. Në fakt specialistë të muzeologjisë janë shprehur skeptikë për një realizim të tillë, duke pasur parasysh se objektet personale apo materialet dokumentare të Nënë Terezës janë shumë pak për të përmbushur idenë e një muzeu. Edhe vet z. Lesi është shprehur më parë se specialistët do të kërkojnë objekte apo dëshmi në Indi, Vatikan, Maqedoni, Kosovë, Irlandë etj. E nëse muzeu do të realizohet, sërish pjesa dërmuese i takon që të jenë foto apo dëshmi të të tjerëve kushtuar bamirëses shqiptare. Thënë më qartë, më shumë se sa ideja e një muzeu, do të jetë ideja e një ekspozite. Mbledhja e djeshme duhet të kishte qenë edhe e fundit, por në fakt ende gjërat mbeten të hapura. Kjo ndoshta edhe për faktin se që në fillim, u bë e ditur që në datën 26 gusht, data që shënon 100-vjetorin e lindjes së Nënë Terezës, në vendin ku do të ngrihet memoriali, do të vendoset në mënyrë simbolike vetëm një gur. Ndonëse qeveria vendosi të mobilizojë institucionet për të kremtuar 100-vjetorin e lindjes së Nënë Terezës, është e dukshme se deri më tani, nuk kemi bërë më shumë se sa vende të tjera, të cilat i lidh me Nënë Terezën vetëm respekti ndaj punës së saj të madhe. Lajmet që vijnë nga përtej kufijve flasin për aktivitete të shumta e të ndryshme në llojin e tyre kushtuar bamirëses. Po dje, në Ministrinë e Kulturës është mbajtur edhe mbledhja e grupit të punës për programin e aktiviteteve që ishin parashikuar të mbaheshin gjatë këtij viti. Zëvendësministrja Suzana Turku është shprehur se më së shumti është diskutuar për një seri aktivitetesh që do të organizohen në datën 26 gusht. Sipas një programi të vënë në dispozicion për mediat, i njëjti i afishuar si banderolë në MTKRS, parashikohen këto aktivitete: një panair libri kushtuar Nënë Terezës, çmim për krijimtarinë më të mirë muzikore, çmim për esenë më të mirë, ekspozitë për Nënë Terezën në Muzeun Historik Kombëtar, shfaqja e dokumentarit të RAI-t për jetën e Nënë Terezës në sheshin që mban të njëjtin emër e po në gusht është parashikuar botimi dhe promovimi i albumit me foto dhe përmbajtje të lutjeve të Nënë Terezës të autorit Roland Tasho. Deri më tani, i vetmi aktivitet i organizuar në nderim të bamirëses me origjinë shqiptare është një konferencë shkencore e mbajtur në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, shoqëruar edhe me një ekspozitë mbi jehonën që i është bërë Nënë Terezës në shtypin shqiptar. Aktivitetet e tjera që i dikton edhe programi: Ekspozita e 12 shenjtorëve parashikuar të mbahej në Bibliotekën Kombëtare në muajin korrik, shfaqja e filmave kushtuar Nënë Terezës në “Imperial”, mbrëmje muzikore letrare me prozë e poezi që duhet të mbahej në korrik në Teatrin Kombëtar. Programi parashikon të tjera aktivitete deri në muajin tetor, përfshirë një botim të asaj se çfarë kanë thënë autorët botërorë për Nënë Terezën, një maratonë paqeje, vënien në skenë të dramës për Nënë Terezën, festivalin ndërkombëtar të koreve. Edhe ky përvjetor ka dëshmuar ngërçin e madh që institucionet tona kanë në organizimin e aktiviteteve, kur praktika botërore ofron shembuj të kalendarëve që organizohen të kopsitur kohë më parë.
#