E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI: “Podesta” manipuloi, paguhet nga taksat e shqiptarëve, lobon për Berishën

TIRANE - Lëvizja Socialiste për Integrim reagoi sot në lidhje me lajmin e përhapur në media për manipulimin e deklaratës së zyrtarit të lartë amerikan, Jonathan Moore, nga ana e kompanisë lobuese “Podesta Group", e kontraktuar nga qeveria shqiptare për përmirësimin e imazhit të saj ndërkombëtar.
Sekretari për Marrëdhëniet me Jashtë, Ralf Gjoni akuzoi kompaninë lobuese për manipulimin e opinionit publik ndërkombëtar, në favor të kryeministrit Berisha dhe Partisë Demokratike.

“Pavarësisht korrigjimit të mëvonshëm nga ‘Grupi Podesta’ të deklaratës për shtyp, pas shprehjes së shqetësimit nga Tirana, kemi arsye të forta të besojmë se ky ishte një manipulim i qëllimshëm nga kompania e lobimit për të keqinformuar opinionin publik ndërkombëtar”,- u shpreh Gjoni.

Sipas Gjonit, “kompania e lobimit paguhet nga paratë e taksapaguesve shqiptarë. Ndërkohë në disa raste është angazhuar qëllimisht në përfaqësimin e interesave të ngushta të Partisë Demokratike, duke futur hundët në çështje tërësisht të brendshme të funksionimit të demokracisë shqiptare, duke ndërhyrë në çështje teknike dhe ligjore të institucioneve shqiptare, dhe duke lobuar hapur në interes të kundërt me pavarësinë, integritetin dhe ligjshmërinë e institucioneve kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”.

LSI bën të ditur se do të ndërmarrë të gjitha hapat politikë dhe ligjorë për të komunikuar me autoritetet më të larta të SHBA, Departamentin e Shtetit dhe Departamentin e Drejtësisë, për të vënë në dukje atë që e konsideron si keqpërfaqësim të interesave të shqiptarëve, dhe keqpërdorim të parave të tyre, nga kompania lobuese “Podesta”.

“Kjo që ka ndodhur është skandaloze, e patolerueshme dhe në konflikt të hapur interesi me kontratën që 'Grupi Podesta' ka me Republikën e Shqipërisë. I kujtojmë z. Berisha se ndërsa ai mendon se mund të përdorë instrumente të dyshimta për dezinformimin e publikut si në Shqipëri, ashtu dhe jashtë saj, ne kemi një kontratë më të fuqishme dhe afatgjatë me të gjithë qytetarët shqiptarë për rikthimin e legjitimitetit të institucioneve shqiptare dhe për avancimin e Shqipërisë drejt standardeve ndërkombëtare dhe për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian”,- u shpreh Gjoni.

Një ditë më parë, mediat zbuluan se kompania “Podesta Group” kishte tjetërsuar deklaratën kritike që Drejtori për Çështjet e Evropës Jugqendrore në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore, bëri në Tiranë.

Në njoftimin që kompania “Podesta” shpërndau për mediat thuhej se zyrtari i lartë amerikan kishte thënë në Tiranë: “Ne vëmë re shqetësime për balancën në KQZ, por ne besojmë se ka një argument ligjor të fortë për mënyrën se si parlamenti votoi”.

Por realisht kjo deklaratë nuk përputhej me atë që zoti Moore bëri në Tiranë, pasi ai tha se ka një argument të fortë ligjor, që vë në pikëpyetje votimin në parlament në datën 15 prill.
Nga ana e saj, kompania “Podesta” kërkoi ndjesë duke bërë të ditur se kishte nisur një e-mail me shkurtime që më pas e kishte korrigjuar.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›