LSI mbledh Komitetin Organizator, Meta: Klasa politike të ngrihet mbi interesat personale, të punojë për integrimin
Lëvizja Socialiste për Integrim ka mbledhur sot kryesinë e partisë ku është shpallur zyrtarisht edhe gara për kreun e ri të kësaj force politike. Në fjalën e tij, kreu i saj Ilir Meta vlerësoi rolin e LSI-së në dobi të stabilitetit të vendit por edhe për proceset integruese. “Po shkojmë drejt një procesi të rëndësishëm për LSI-në por për ridimensionimin e saj të mëtejshëm por edhe për gjithë politikën në vend ku LSI luan një rol të rëndësishëm, përcaktues në dobi të stabilitetit të vendit, në dobi të reformave që duhet të vijojnë me insistim që prespektiva europiane e vendit të vijë duke u përshpejtuar”- theksoi Meta.
Ai deklaroi se përmbushja e reformave dhe është mënyra më e mirë për përshpejtimin e proceseve integruese të vendit. “Bashkimi Europian ka sfidat e tij dhe mënyrë më e mirë për të realizuar ambiciet tona është përshpejtimi i reformave dhe kjo relalizohet përmes një bashkëpunimi të përgjegjshëm mes klasë politike në Kuvend dhe jashtë tij”- tha Meta,
Sipas tij, klasa politike duhet të ngrihet mbi interesat personale dhe të bashkëpunojë në interes të vendit. “Klasa politike shqiptare nuk ka nevojë për një retorikë destruktive dhe një konflikt që kontaminon jetën politike, por ka nevojë për një bashkëpunim mbi interesat e vendit i cili forcon institucionet, përmirëson ekonominë e vendit dhe i cili nxjerr në pah gjithë pozitivitetin që ka vendi i cili ka si moto përmirësimin e vazhdueshëm”- shtoi Meta.
Meta gjithashtu theksoi se LSI do të jetë një formacion shumë konstruktiv ndërsa ftoi të rinjtë që të jenë aktiv në garë. “Kemi të bëjmë me një sfidë që ka të bëj me një vizion të LSI-së përtej 2013-ës dhe jo për një politikë me qëllime afatshkurta sepse kjo është që ka penguar progresin e vendit. Inkurajoj të gjithë të rinjtë për të qënë sa më aktiv që të rivlerësojnë dhe të vendosin piketën për një të ardhme afatgjatë një vendi që fillon negociatat me BE-në dhe ka shumë për të dhnë për të forcuar stabilitetin e rajonit tonë që edhe pse ka pasur arritje ka edhe sfida, por është edhe një detyrë që ka nevojë që të orientohet drejt një politike drejt dialogut, bashkëpunimit dhe jo drejt konflikteve dhe sherreve pa fund”- shtoi më tej Meta.
Luan Rama: Garë transparente
Nga ana e tij Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama ritheksoi qëndrimin e tij se nuk kandidon për të mundur Ilir Metën, por që LSI të fitojë zgjedhjet e 2013-ës ndërsa shtoi se duhet të zhvillohet një garë transparente dhe jo me debate jashtë korridoreve.
“Duke pranuar kandidimin tim në këtë fazë të rëndësishme, ku gjendet LSI të mund të ofroj një kontribut më shumë që vlera jonë që lidhet me funksionimin demokratik, të shpaloset në këto zgjedhje me një vlerë dhe dimension tjetër me synimin të ruajmë gjithçka të mirë që ka bërë LSI që në themelimin e saj, por të mos tu kënaqur me kaq, por të ridimensiojmë rolin e saj me sfidat e afërta siç janë zgjedhjet e vitit 2013”, shtoi Luan Rama.