E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI, midis moralit politik dhe pragmatizmit politik!

Çdo forcë politike, ndërton vizionin e saj politik nëpërmjet parimeve, të cilat përkthehen në akte normative si: statutet, rregulloret, programet, qëndrimet publike, koalicionet elektorale e qeverisëse e të tjera. Po të vërehet me kujdes, sidomos në dhjetëvjeçarin e fundit në sjelljen politike shqiptare, morali politik herë ka diktuar pragmatizmin politik, por jo më pak, ky i fundit ka mbizotëruar madje dhunshëm e ka zëvendësuar moralin politik. Për ta bërë më të prekshëm këtë pohim, mjafton t’u referohemi disa fakteve historike të bashkëjetesës politike të LSI-së me faktorin tjetër politik relevant. Në 2005-ën, LSI doli e vetme në zgjedhje, me një ligj zgjedhor prioritarisht mazhoritar e pjesërisht proporcional, i cili ndonëse i pafavorshëm për një forcë politike të sapokrijuar, megjithatë mundësonte, qoftë edhe nëpërmjet proporcionalit të kufizuar, përkthimin e votës në mandat përfaqësimi. LSI-ja i qëndroi moralit të saj politik, duke qëndruar në opozitë bashkë me Partinë Socialiste dhe ndonjë parti tjetër. Në vitin 2007, LSI-ja u fut në koalicion paraelektoral me PS-në dhe disa subjekte të vogla të së majtës, duke optimizuar fitoren e koalicionit. Mirëpo morali politik, që bëri të mundur fitoren e koalicionit, u prish në mënyrë të njëanshme prej grykësisë së PS-së, e cila e deshi pushtetin vetëm për vete, sipas parimit: Votojmë bashkë, por qeveris vetëm. Pragmatizmi politik, filloi të shndërrohej në një modus vivendi madje, duke u shndërruar më vonë deri në ligj zgjedhor. Ai i ra ballas moralit politik, duke ia zënë vendin e duke deformuar në këtë mënyrë parimin themelor të demokracisë, që bazohet në barazinë e votës dhe përkthimin e vullnetit të votuesit në mandate përfaqësimi. Kjo gjueti shtrigash, vijoi me ndryshimet Kushtetuese, kundër të cilave LSI-ja u shpreh qysh në 2008 deri edhe me grevën e urisë. Më vonë lidershipi socialist, ka pranuar publikisht se ndryshimet kushtetuese, ishin të gabuara. Por nuk kërkoi falje as ndaj partisë vet (por kjo është punë e tij), as edhe ndaj atyre që dëmtoi. Me këmbënguljen për miratimin e Kodit Zgjedhor ai sanksionoi de jure pragmatizmin politik, si e vetmja rrugë, duke e lënë moralin politik në bisht të demokracisë. Ky akt juridik, i shkoi për shtat edhe PDsë, sepse edhe ajo ndihej e kënaqur nga ky pazar, nëpërmjet të cilit synohej eliminimi i partive të spektrave përkatëse në dobi të tyre. Morali politik i PS-së dhe i PD-së shkoi në fund, kurse pragmatizmi politik, që deformoi përfaqësimin e votës, u bë rregull. Rezultati ishte i qartë: eliminim i shumë partive të majta dhe të djathta nga përfaqësimi në parlament. Vetëm LSI-ja humbi rreth 50 mijë vota të papërfaqësuara, ose pak a shumë, 5 deputetë. Pragmatizmi politik i dy partive kryesore deformoi moralin politik, pasi u hoqi me ligj të drejtën votuesve të LSI-së për t’u përfaqësuar me 5 mandate më shumë në parlamentin aktual. LSI-ja e kishte mundësinë për t’i shkuar në fund kësaj loje pa moral, duke mos pranuar të hynte në koalicion dhe vendi të rrokullisej në ortek elektoral, i cili bashkë me krizën që sillej rrotull, mund ta fuste vendin në një impas, duke i sjellë dëme të pallogaritshme. Përkundrazi në vitin 2009 ajo vuri në plan të parë moralin politik, duke u ngritur mbi interesat e ngushta partiake si parti e majtë, pikërisht për të mënjanuar krizën elektorale, për të afruar më shumë integrimin e vendit, forcimin e institucioneve, liberalizimin e vizave, plotësimin e reformave për marrjen e statusit të vendit kandidat etj. Në shumë intervista apo konferenca për shtyp lidershipi i LSI-së ka kërkuar nga dy partitë e mëdha që t’i largohen politikës konfliktuese, retorikës boshe, në mënyrë që të bashkëpunojnë për interesa të mëdha, të cilat janë të dobishme për qytetarin, i majtë apo i djathtë qoftë ai, një mesazh ky që ka ardhur dhe po vjen çdo ditë nga miqtë e Shqipërisë në të gjitha strukturat evropiane dhe nga SHBA-ja. Falë kësaj zgjedhjeje u bë rritja graduale ekonomike në një kohë të vështirë krize për rajonin edhe me gjerë, u ruajt stabiliteti i pagave dhe i pensioneve dhe sidomos stabiliteti i mosrritjes së papunësisë, madje uljes relative të saj. Në mënyrë të veçantë mund të veçohen si sukses investimet në infrastrukturën rrugore si dhe një politikë e drejtë për energjinë e rinovueshme hidrike, që doemos do të japë frytet në të ardhmen. Natyrisht reforma të rëndësishme integruese janë realizuar në shëndetësi, në drejtësi dhe në arsim, e veçanërisht në politikën e jashtme. Sigurisht, me kontributin e veçantë të LSI-së ka pasur arritje si: ligji për moshën e tretë, heqja e TVSH për makineritë e biznesit fason, që u shtri më tej me vendimin e fundit për të gjitha makineritë e importit. Disa reforma në shëndetësi, siç është ligji për sigurimin shëndetësor, që do të zbatohet në muajin mars apo për organizimin e shërbimeve, si dhe disa qëndrime më të qarta në politikën e jashtme si: problemi i kufirit detar, problemi i ligjit të luftës me Greqinë, problemi i çështjes çame, problemi i një politike më ballkanike me theks rajonal në mbrojtje të trevave shqiptare dhe të njohjes së Kosovës në veçanti. Gjithashtu, në emër të moralit politik për të ecur më shpejt me reforma për integrimin e vendit roli i LSI-së në qeverisje ka qenë i madh për sa i përket amortizimit të acarimit të politikës midis PS-së dhe PD-së. Kjo gjë është vënë re në procesin e zgjedhjes së Presidentit, në procesin e zgjedhjes së Avokatit të Popullit, të Kryeprokurorit e deri edhe tek këmbëngulja e saj në buxhet për rrugën nacionale, që lidh Lushnjën me Beratin. Kjo politikë ka qenë relevante në drejtim të zgjidhjes së problemeve brenda institucioneve si dhe për thjeshtimin e politikës në pritshmërinë e qytetarit, ku çështja e realizimit të standardeve dhe çështja e integrimit janë një e të pandashme. Por, për vetë numrin e kufizuar të deputetëve brenda mazhorancës, si dhe për faktin se qeverisja ishte në koalicion me një mazhorancë të theksuar parlamentare, e cila kishte programin e saj, LSI-ja nuk mundi të realizonte disa reforma që janë tipikisht të majta edhe pse me këmbënguljen e përhershme të saj do të duhej të ishin ndjekur disa politika më favorizuese për biznesin e vogël e atë familjar e në radhë të parë disa politika sociale që prekin kategori sociale të caktuara, që nga pensionet, moshën e tretë, shtresat në nevojë si dhe kategoritë sociale vulnerabël. Pra, është insistuar në mjaft ndërhyrje të saj që, një pjesë e buxhetit, që shkonte për investime në infrastrukturë (ndonëse të nevojshme) të mund të orientohej për këto kategori sociale, nga njëra anë dhe në arsim e shëndetësi, nga ana tjetër. Ka pasur këmbëngulje nga LSI për heqjen e TVSH për barnat, për të zgjeruar arsimin profesional, për të thjeshtuar maturën shtetërore, për të rritur nismën sipërmarrëse të të rinjve, etj.

Por, dikush mund të thotë përse nuk u larguat nga qeveria kur nuk plotësoheshin kërkesat dhe përparësitë tuaja. Këtu, besoj, fillon edhe analiza midis asaj se prej një veprimi të tillë më shumë mund të humbej apo mund të fitohej për Shqipërinë dhe për shqiptarët, duke prekur vetë arsyet, mbi të cilat u mbështet koalicioni me PD-në. Këtu merr përgjigje edhe pyetja e shtuar më lart, se qëndrueshmëria e institucioneve dhe realizimi i reformave integruese ishin përparësi që kapërcenin interesat e ngushta politike të LSI-së si forcë e majtë. Midis interesave të saj të ngushta dhe përparësive zhvilluese e integruese LSI-ja zgjodhi moralin politik. Zgjedhjet elektorale të vitit 2011, dëshmuan për drejtësinë e vënies në plan të parë të moralit politik. LSI-ja u votua bindshëm, koalicioni e mori përgjigjen pozitive prej sovranit. Ndryshe nga marrëdhënia me PS-në në 2007, në këtë koalicion me PD-në, palët i qëndruan korrekte njëra-tjetrës, duke rritur gradualisht besimin mbi bashkëqeverisjen dhe respektimin e pakteve politike.

Po si qëndron morali politik ndaj pragmatizmit politik në këtë prag-fushatë elektorale? Sikundër e theksuam më lart, ky ligj elektoral detyron forcat politike për të ndërtuar koalicione me qëllim maksimizimin e përfaqësimit parlamentar kundrejt votave që merr çdo forcë politike. Për LSI-në shtrohen katër alternativa. Së pari, duke qenë forcë e majtë, morali politik do ta donte të bëhej një koalicion me PS-në, mirëpo realizimi është shumë i vështirë (sepse në politikë fjala “i pamundur” nuk ekziston) për dy arsye themelore: a) mungesa e besimit të ndërsjellë. Partitë janë larguar mjaft prej prerjes “në besë” nga ana e PS-së, që filloi me 2007-ën, ku LSI-ja u la jashtë administrimit të pushtetit vendor dhe vazhdoi në vijim në 2008 me ligjin zgjedhor, që synonte, jo nëpërmjet votës siç e do rregulli i konkurrimit në zgjedhje, por me ligj eliminimin e partive të tjera. E sikur të mos mjaftonte kjo, me një formë të ngjashme me ato të sigurimit të shtetit komunist, PS-ja u lëshua për të goditur vetë kreun e LSI-së me të ashtuquajturën video, si një metodë për ta eliminuar LSI-në, jo me votë por përsëri de jure. Nga ana tjetër, edhe pse kishte pranuar se ndryshimet kushtetuese (ku përfshihej edhe ligji zgjedhor) ishin të gabuara e duhet të kërkonte falje, lidershipi i saj iu rikthye zakonit të vjetër të eliminimit jo me votë, por me ligj, jo me garë elektorale, por me forcën e kartonit. Me gjithë këmbënguljen e shumë partive, u vu poshtë me forcën e kartonit vullneti i votuesit për t’u kthyer në mandat përfaqësimi. b) koalicionet ndërtohen me platforma paraelektorale, me platforma qeverisëse si dhe për vazhdimësinë e mëtejshme politike si dy forca të llojit të majtë, ku bashkëjetesa krijon vazhdimisht konfuzion njehsimi. Një platformë e tillë për bashkimin e të majtës, fitoren e zgjedhjeve dhe, më pas, shkrirjen e së majtës për t’i hapur rrugë konkurrimit, sot për sot është vetëm një ideal socialistëve të ndershëm, sepse lidershipi i PS-së është kapur prej vetes dhe vetëm lëshon tinguj bashkimi “ciu-ciu”, në internet. Në këto kushte, vetëm një mrekulli (sepse ato janë hyjnore), mund të afronte moralin politik me pragmatizmin politik midis LSI-së dhe PS-së. Së dyti, LSI-ja mund të dilte e vetme si në 2009-ën, po të kihet parasysh se asokohe partitë në koalicion me të morën shumë pak vota (rreth 7 mijë vota). Në këtë rast ajo përsëri do ruante në parim moralin politik nëpërmjet ofertës programore ndaj qytetarit, por sikundër ndodhi atëherë, ligji zgjedhor do ta ndëshkonte përsëri në ato zona ku nuk do të kapej pragu i deputetit. Për pasojë, edhe morali politik nuk do të përkthehej drejt në aksionin parlamentar e qeverisës për realizimin e vizionit të saj.

Së treti, nëse LSI-ja do të dilte në koalicion me parti të tjera, duke krijuar një pol të tretë, morali politik, që mishërohet në programin e saj si forcë e majtë, do të ishte prioritar, por edhe këtu duhet parë çështja e maksimizimit të votës. Forcat politike, që janë përmendur rreth këtij poli kohët e fundit, sipas meje nuk ia optimizojnë LSI-së rezultatin, i cili matet gjatë një mandati me numrin e deputetëve në parlament, për pasojë edhe me peshën që ke për të imponuar programin tënd. Së fundi, në një koalicion me PD-në, LSI-ja do të verifikonte për herë të dytë nëpërmjet votës, pas zgjedhjeve të suksesshme vendore të 2011-ës, se ky mandat bashkëpunimi ishte i qëndrueshëm dhe se problemet që na bashkojnë dhe që na integrojnë, reformat që duhen kryer për të arritur standardet që kërkohen, janë mbipartiake. Ato janë detyrime që dalin përtej spektrit politik të majtë dhe të djathtë. Pra, përsëri në këtë mandat, morali politik do të orientohet nga interesat e vendit për realizimin e standardeve dhe të integrimit të Shqipërisë në BE. Natyrisht, duke qenë dy forca politike me spektër të ndryshëm politik në këtë koalicion LSI-ja ruan identitetin e saj politik, duke mënjanuar konfuzionin politik, siç mund të kishte gjasa në rastin me PS-në.

Por LSI-ja nuk është më ajo e 2009-ës, edhe në program edhe në përvojë. Ajo ka komisionerët e vet në këto zgjedhje në të gjitha nivelet si dhe është rritur mjaftueshmërisht (sidomos LRI-ja dhe LGI-ja) për të qenë një surprizë e këndshme e këtyre zgjedhjeve. Me programin e vet, ajo do t’i drejtohet elektoratit për të marrë votat e veta. Por që ky moral politik të jetë i suksesshëm ai ka nevojë për një pragmatizëm politik, i cili maksimizon votat në mandate, duke i dhënë shanse për t’u imponuar më fort në qeverisje për realizimin e programit të vet. Sot për sot, nisur nga një realizëm politik racional, koalicioni me PD-në është më i mundshmi, me kusht që qeveria dhe qeverisja, sikundër vetë përfaqësimi parlamentar duhet të reflektojnë thellë për t’u ngritur serish si feniksi nga hiri i vet. Por, siç është bërë e ditur, vendimin do ta marrë Konventa e prillit, e deri në atë kohë, ngjarje

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›