LSI takim në qytetin Patosit, 125 anëtarësime të reja
Kreu i LSI-së, Ilir Meta u bëri thirrje dje dy forcave më të mëdha politike, për të lënë mënjanë siç tha ai retorikat boshe dhe bllokimet artificiale. Nga një takim me strukturat e LSI-së në Patos, Meta tha se politika duhet ta nisë mbarë këtë 100 vjetori të ri duke reflektuar më në fund vullnetin e qytetarëve
Lëvizja Socialiste për Integrim ka zhvilluar dje një takim entuziast më qindra anëtarë dhe simpatizantë të LSI-së në qytetin e Patosit. Në këtë takim ka qenë i pranishëm Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti, si dhe Sekretari për Çështjet Ligjore në LSI, Spartak Braho. Në këtë aktivitet janë anëtarësuar rishtas në LSI edhe 125 anëtarë të tjerë, një pjesë të të cilëve Lideri i LSI-së u dha dokumentet e anëtarësisë.
Në fjalën e tij Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi se Lëvizja Socialiste për Integrim, si një forcë e re dhe me energji pozitive është e përqendruar tek e ardhmja dhe te zgjidhja e problemeve konkrete që kanë qytetarët.
Sipas tij, LSI nuk ka komplekse për të qenë objektivë me historinë.
Kryetari i LSI-së deklaroi nga Patosi se lufta më e suksesshme kundër varfërisë është ajo që bazohet tek rritja e punësimit prandaj edhe politika e taksave duhet të synojë në rritjen e punësimit.
Ai i bëri thirrje forcave politike shqiptare që është e rëndësishme t’i fillojmë mbarë 100 vitet që vijnë duke reflektuar në të ardhmen vullnetin e qytetarëve shqiptarë për tu bashkuar dhe për të zgjidhur problemet e tyre, për t’i dhënë fund retorikave konfliktuale dhe bllokimeve artificiale sepse Shqipëria duhet të ecë më shpejt në rrugën e progresit, të integrimit evropian dhe zgjidhjes së problemeve të qytetarëve të saj.
“Ne jemi sot këtu sepse kemi besim te komuniteti i shkëlqyer i Patosit, te tradita shumë e mirë që LSI-ja ka pasur që në fillimet e saja këtu më Patos. Kemi besim edhe se në të ardhmen Patosi do të jetë një nga qendrat më të fuqishme, jo vetëm në Qarkun e Fierit por në të gjithë Shqipërinë. Nga Patosi unë dëshiroj tu bëj një apel të gjitha forcave politike, në veçanti Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Është e rëndësishme t’i fillojmë mbarë 100 vitet që vijnë duke reflektuar në të ardhmen vullnetin e qytetarëve shqiptarë për tu bashkuar dhe për të zgjidhur problemet e tyre, për t’i dhënë fund retorikave konfliktuale dhe bllokimeve artificiale sepse Shqipëria duhet të ecë më shpejt në rrugën e progresit, të integrimit evropian dhe zgjidhjes së problemeve të qytetarëve të saj. Ky është kontributi më i mirë që mund të japë çdokush për lartësimin e emrit të Shqipërisë në Europë dhe në botë por njëkohësisht edhe për lartësimin e dinjitetit dhe të krenarisë së çdo qytetare shqiptar, kudo ku ai është”, tha kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.
Duke përfunduar Meta u shpreh se një LSI më e fuqishme do të thotë një politikë shqiptare më e përgjegjshme, do të thotë një politikë shqiptare më e arsyeshme, do të thotë një politikë shqiptare me këmbë në tokë për të zgjidhur problemet e të gjithë qytetarëve shqiptarë.