Projektbuxheti, fillon sot zhvillimi i seancave dëgjimore me institucionet
Për vitin 2013, qeveria parashikon një rritje ekonomike prej 4 për qind, ruajtjen e inflacionit në nivelin 3 për qind dhe ruajtjen e nivelin të borxhit publik në 62.6 për qind. Për sa i përket nivelit të importeve në vlerë nominale ato parashikohen në 6.4 për qind, ndërsa eksportet në 25 për qind
Projektligji "Për buxhetin e vitit 2013" që po shqyrtohet në Kuvend do të vijojë të hënën me zhvillimin e seancave dëgjimore me institucionet.
Sipas axhendës zyrtare të publikuar nga Kuvendi, të hënën komisioni i Ligjeve do të zhvillojë seanca të veçanta dëgjimore me përfaqësues të Prokurorisë së Përgjithshme, të Zyrës së Administrimit të Buxhetit Gjyqësor, të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Gjykatës Kushtetuese.
Komisioni i Ekonomisë, krahas diskutimit të zërit të shpenzimeve në projektbuxhet, do të shqyrtojë dhe buxhetin për pushtetin vendor. Ndërsa, komisioni parlamentar i Sigurisë Kombëtare do të marrë në shqyrtim buxhetin e ri për Ministrinë e Brendshme dhe Shërbimin Informativ Shtetëror.
Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese do të dëgjojë përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë dhe të Ministrisë së Mjedisit; komisioni i Shëndetësisë do të ketë në diskutim buxhetin e Ministrisë së Punës, ndërsa buxheti i ri për Ministrinë e Arsimit do të shqyrtohet në komisionin e Medias.
Buxheti i ri i shtetit, që do të shqyrtohet në parim në seancën plenare të 7 dhjetorit, sipas ministrisë së Financave, renditet i katërti që hartohet në kushtet e një krize ekonomike dhe financiare globale.
Për vitin 2013, qeveria parashikon një rritje ekonomike prej 4 për qind, ruajtjen e inflacionit në nivelin 3 për qind dhe ruajtjen e nivelin të borxhit publik në 62.6 për qind. Për sa i përket nivelit të importeve në vlerë nominale ato parashikohen në 6.4 për qind, ndërsa eksportet në 25 për qind.