E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI zëvendëson "rebelët" në strukturat drejtuese

Komiteti Drejtues i LSI-së i cilëson zërat kundër si të vetpërjashtuar. Meta i zëvendëson me anëtarë të rinj


TIRANË - Lëvizja Socialiste për Integrim përjashton edhe zyrtarisht drejtuesit e saj të lartë, të cilët nuk u pajtuan me vendimin për të kaluar djathtas dhe për të bashkëqeverisur me Partinë Demokratike.


Komiteti Drejtues Kombëtar (KDK) i kësaj force ka bërë riemërimet e reja në disa poste të larta drejtuese, por pa konsumuar më parë aktin formal, atë të shkarkimit të drejtuesve ekzistues, duke i konsideruar: zëvendëskryetarin Pëllumb Xhufi, nënkryetarin Sabit Brokaj, anëtarët e kryesisë Fatos Klosi, Ndre Legisi dhe Mustafa Muçin të vetlarguar.


Mbledhja


Lëvizja Socialiste për Integrim ka mbajtur dje mbledhjen e Komitetit Drejtues Kombëtar, ku midis të tjerave mori në shqyrtim edhe situatën, që është krijuar në këtë forcë, si pasojë e largimit të disa drejtuesve të lartë të saj, të cilët nuk iu bindën vendimit për të bashkëqeverisur me të djathtën.


Kjo pjesë e mbledhjes u zhvillua me dyer të mbyllura për median dhe në fund drejtori për marrëdhëniet me publikun në LSI, Dritan Ylli, bëri të ditur vendimin për zëvendësimin e "rebelëve" me disa emra të tjerë të njohur të kësaj force.


Kështu, në postin e zëvendëskryetarit të LSI-së, ose të numrit dy të partisë në vend të Pëllumb Xhufit u zgjodh Edmond Haxhinasto, i cili deri më tani drejtonte pikërisht Komitetin Drejtues Kombëtar të kësaj force. Ndërsa në vendin e Kryetarit të Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI-së, i cili mbeti bosh me kalimin e Haxhinastos si zëvendëskryetar, u zgjodh Edmond Panariti.


Gjithashtu një zëvendësim tjetër ishte edhe ai i Sabit Brokajt, i cili po ashtu në shenjë mospajtimi me vendimin pas zgjedhor të LSI-së u largua nga kjo forcë duke lënë vakant postin e nënkryetarit të kësaj force. Vendin e Brokajt e ka zënë deputeti, por edhe anëtari më i ri LSI-së Lefter Koka, i cili gjithashtu drejton dhe grupin parlamentar të kësaj force.


Një emërim i ri nga KDK-ja ka qenë edhe ai i bashkëshortes së kryetarit të kësaj force, Monika Kryemadhi, në postin e sekretares organizative të partisë. Ky forum ka bërë dhe një sërë zëvendësimesh në kryesinë e partisë, ku kohët e fundit, po për shkak të orientimit djathtas të partisë, u larguan anëtarët Ndre Legisi, Fatos Klosi, Mustafa Muçi, por edhe disa figura të tjera të larguara që para zgjedhjeve.


Në vend të tyre KDK-ja zgjodhi Shezai Rrokajn, Leondard Beqirin, Edmond Hoxhën, Nasip Naçon, Matilda Merxhanin, Bujar Hasën, Pjerin Xhuvanin dhe Qemal Elezin, figura këto që kryesisht për opinionin e gjerë njihen pak ose aspak dhe që kanë mundur të hedhin shkallët e karrierës së tyre politike, që pas kalimit të LSI-së në qeverisjen e djathtë.


Ndërkohë, lidhur me moskryerjen e procedurës formale të shkarkimit të të larguarve, drejtori për marrëdhëniet me publikun në LSI, Dritan Ylli, e
ka justifikuar me faktin se ish-drejtuesit e LSI-së u vetpërjashtuan me mosrespektimin e vendimeve të strukturave të partisë lidhur me bashkëpunimin me PD-në.


Plotësimet e bëra në kryesinë e LSI-së do të jenë të vlefshme deri në zgjedhjet e përgjithshme, që do të bëhen në pranverën e ardhshme.


Analiza


Gjatë mbledhjes së djeshme KDK-ja mori në shqyrtim edhe situatën politike në vend si dhe përcaktoi axhendën e takimeve të analizës, që do të zhvillojë kjo forcë politike në çdo degë të saja.


Kështu, siç bëri të ditur kjo forcë me anë të një komunikimi me median KDK-ja ka mbështetur lëvizjen politike të LSI-së për të kaluar nga opozita në qeveri si dhe kontributin, që ajo është zotuar për të dhënë në procesin e integrimit.


"Anëtarët e Komitetit Drejtues Kombëtar mbështetën në mënyrë unanime të gjithë veprimin politik dhe përfaqësimin e LSI-së në Qeverinë e Integrimit. Komiteti Drejtues Kombëtar njëkohësisht përshëndeti reflektimet dhe përfshirjen në programin e qeverisë të prioriteteve programore të LSI-së dhe përcaktoi se axhenda e integrimit do të jetë prioriteti madhor i qeverisjes dhe i rolit madhor të LSI-së në qeveri.


KDK-ja vlerësoi gjithashtu se, integrimi dhe në mënyrë specifike problemi i liberalizimit të vizave, do të jetë prioritet i padiskutueshëm i LSI-së në të gjithë angazhimet e saj", - tha Dritan Ylli për mediat.


Edmond Haxhinasto zëvendëson Pëllumb Xhufin në postin e Zëvendëskryetarit

Edmond Panariti zëvendëson Edmond Haxhinaston në postin e kryetarit të KDK-së

Lefter Koka zëvendëson Sabit Brokajn në postin e nënkryetarit

Monika Kryemadhi, zgjidhet Sekretare Organizative e LSI-së

Shezai Rrokaj u zgjodh anëtar i Kryesisë

Leonard Beqiri u zgjodh anëtar i Kryesisë

Edmond Hoxha u zgjodh anëtar i Kryesisë

Nasip Naço u zgjodh anëtar i Kryesisë

Matilda Merxhani u zgjodh anëtare e Kryesisë

Bujar Hasa u zgjodh anëtar i Kryesisë

Pjerin Xhuvani u zgjodh anëtar i Kryesisë

Qemal Elezi u zgjodh anëtar i Kryesisë

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›