E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherr policësh në Bajzë, njëri qëllon me armë në ajër

Konflikti mes dy oficerëve ndodhi pas dyshimeve të njërit prej tyre për një lidhje intime të vajzës së tij me kolegun

Policia lokale dënon disiplinarisht një prej tyre ndërsa verifikimi kalon edhe në duart e hetuesve të SHKB-së

Shkoder- Dy oficerë të policisë së Shkodrës janë përfshirë në një konflikt për motive të dobëta mes tyre ndërsa për këtë rast ata rrezikojnë edhe masa të rënda disiplinore nga eprorët e tyre. Madje një prej oficerëve gjatë grindjes me kolegun tij, ka nxjerrë pistoletën e tij të punës, duke qëlluar disa herë në ajër.


Ngjarja ndodhi të shtunën në mbrëmje në Bajzë të Malësisë së Madhe, mes Afrim Hoxhës, oficer i hetimit të krimeve të Drejtorisë së Policisë së Shkodrës dhe Idriz Kurtulaj, oficer i Drejtorisë Rajonale të kufirit.


Sipas burimeve të drejtorisë së Policisë së Shkodrës, Hoxha ka shkuar për tu sqaruar me Kurtulajn për një problem personal mes tyre, që lidhej me përfoljen e një lidhjeje dashurie mes vajzës së Kurtulajt dhe Afrim Hoxhës, që sipas burimeve nuk dihet nëse është e vërtetë.


Oficeri Afrim Hoxha, i ka kërkuar kolegut të tij Idriz Kurtulaj të takoheshin së bashku dhe të uleshin të bisedonin për të sqaruar historinë. Por sipas burimeve të policies, Kurtulaj nuk ka pranuar të takohet me Afrim Hoxhën duke i pohuar se ai nuk kishte punë me të. Po kështu sipas burimeve të policisë të njëjtin fakt ai i ka pohuar edhe për vajzën e tij.


Pas një debati që mësohet se nuk ka zgjatur shumë minuta Afrim Hoxha është larguar, pa mundur të bisedonte me Kurtulajn dhe të sqaronin asgjë për të cilin kishte kërkuar të takohej.


Rreth 5 minuta pasi oficeri i krimeve të Drejtorisë së Shkodrës është larguar, është dëgjuar një e shtënë arme zjarri pistolete që dyshohet se është kryer nga arma e Kurtulajt.


Policia nuk ka nisur hetim penal për ngjarjen, pavarësisht se ajo është bërë objekt verifikimi i specialistëve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm (SHKB) të Shkodrës. Nuk ka vonuar shumë dhe ngjarja është marrë vesh edhe në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Shkodrës dhe në Drejtorinë Rajonale të Kufirit. Të dy efektivët mësohet se janë thirrur nga eprorët e tyre për t'u pyetur mbi shkaqet e ngjarjes.


Vetë kreu i policisë së Shkodrës, mësohet se ka kërkuar hetimin e ngjarjes nga SHKB dhe për këtë ngjarje ku janë përfshirë dy efektivë policie, ndërsa ishte vënë në dijeni edhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.


Nga verifikimi i kryer prej specialistëve të SHKB-së, në rastin në fjalë nuk ka pasur konsumim të Kodit Penal, por vetëm shkelje të rregullores së përdorimit të armës nga punonjësi i policisë duke qëlluar pa shkak.


Sipas tyre, shkrepja e armës në ajër nga Kurtulaj ka ndodhur pasi Hoxha ishte larguar dhe se ai nuk kishte shfaqur ndonjë kërcënim konkret ndaj tij. Afrim Hoxha nuk e ka kanosur atë drejtpërdrejt.


Por sipas drejtuesve të policsë së Shkodrës, efektivi i policisë kufitare, Kurtulaj, ka shkelur rregullin duke qëlluar në ajër me armë dhe ndaj duhet hetuar. Gjithsesi krerë të SHKB-së në Tiranë thanë se pas verifikimit të rastit prej tyre, pritet që t'i rekomandohet titullarëve të dy drejtorive në Shkodër dhe eprorëve të tyre vendosja e masave disiplinore për të dy oficerët, në lidhje me këtë ngjarje.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›