LSI zgjedh komitetin drejtues, në krye Erisa Xhixho
Partia Lëvizje Socialiste për Integrim ka zgjedhur sot Kryesinë e re të dalë nga zgjedhjet e kësaj force politike në Konventën Kombëtare, Komitetin Drejtues si dhe Kryesinë e re. Sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Luan Rama, në një dalje publike ka bërë të ditur se Kryesia e re ka në përbërje të saj 25 anëtarë, ndërsa risi në këto zgjedhje është se LSI ka bërë realitet parimin e barazisë gjinore, duke bërë të mundur që në këtë forum, 50 % e përbërjes të jetë nga gratë dhe vajzat dhe njëherësh 30 % e saj të jetë me anëtarë të propozuar dhe të zgjedhur nga radhët e Lëvizjes Rinore për Integrim.
“Standarde dhe tregues të tillë dëshmojnë jo vetëm faktin se LSI i kthen në realitet angazhimet e saj, por këto përbëjnë dhe një vlerë të spikatur, për shkak të ambicies dhe përkushtimit tonë në raport me standardin ku duam ta çojmë Shqipërinë, nën moton “Të ecim më shpejt” dhe këto tregues ne i kemi bërë realitet që në Konventën tonë Kombëtare, në Komitetin Drejtues dhe në Kryesinë e re”, tha Rama. Pas zgjedhjeve të strukturave drejtuese, Erisa Xhixho do të jetë kryetarja e Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI-së, e zgjedhur me 220 vota nga anëtarësia e saj, ndërsa nënkryetar do të jenë Petrit Vasili, Ylli Manjani dhe Klajda Gjoca. Luan Rama do të vazhdojë të jetë sërish Sekretar i Përgjithshëm i kësaj force politike.
31 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)
LSI zgjedh komitetin drejtues, në krye Erisa Xhixho burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip