E Diel, 1 Nëntor 2026

LUKSEMBURG – BE-ja miraton misionin për trajnimin e forcave të sigurisë në Liban

LUKSEMBURG, 12 tetor /ATSH-DPA/- Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian kanë rënë dakord të nisin një mision për të këshilluar dhe trajnuar forcat e sigurisë në Liban.

Misioni i ri synon të ndihmojë që forcat libaneze të sigurisë, të jenë në gjendje të ushtrojnë kontroll mbi të gjithë territorin e vendit, njoftoi sot shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas.

Sipas diplomatëve evropianë, edhe Gjermania synon të marrë pjesë në këtë mision, por ende nuk është përcaktuar se çfarë kontributi do të japë.

Hezbollahu, një lëvizje e mbështetur nga Irani, vazhdon të ketë ndikim të konsiderueshëm në Liban.

Ndër vite, ai ka sulmuar vazhdimisht Izraelin, së fundmi që nga muaji mars, pas sulmeve izraelito-amerikane ndaj Iranit.

Izraeli është kundërpërgjigjur me sulme ajrore dhe me zgjerimin e operacioneve ushtarake tokësore në territorin libanez.

Qeveria e Libanit ka premtuar disa herë që të gjitha armët në vend, do të vendosen nën kontrollin e shtetit.

Megjithatë, deri tani është bërë pak përparim, pasi Hezbollahu vazhdon të kundërshtojë çarmatimin.

Izraeli deklaron se do t’i tërheqë trupat e tij nga jugu i Libanit, vetëm pasi të zbatohet procesi i çarmatimit.

Si do të funksionojë misioni i BE-së?

Misioni i ri pritet të nisë vitin e ardhshëm dhe do të ketë dy njësi: një ushtarake dhe një civile.

Njësia ushtarake do të këshillojë dhe trajnojë Forcat e Armatosura të Libanit.

Ndërsa njësia civile do të ndihmojë strukturat e tjera të sigurisë përmes këshilltarëve dhe trajnimeve të specializuara, për shembull për luftën kundër krimit kibernetik dhe kontrabandës.

Misioni synon gjithashtu të ndihmojë në krijimin e strukturave të përhershme të trajnimit dhe në përmirësimin e mënyrës se si menaxhohet siguria, përfshirë edhe në portin e Bejrutit.

Çfarë do të ndodhë me misionin e OKB-së?

Misioni aktual paqeruajtës i Kombeve të Bashkuara në Liban, i njohur si UNIFIL, pritet të përfundojë në fund të këtij viti.

Ai u krijua në vitin 1978 për të mbikëqyrur zonën kufitare mes Izraelit dhe Libanit.

Pas largimit të paqeruajtësve të OKB-së, ushtria libaneze pritet të marrë kontrollin e kësaj zone. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›