E Diel, 1 Nëntor 2026

Paris, flakët shkrumbojnë tregun historik 400-vjeçar, nuk raportohet për viktima

Paris, 12 tetor, ATSH/– Një zjarr masiv përfshiu në orët e para të mëngjesit të së hënës tregun historik “Marché des Enfants Rouges” në Paris, duke shkatërruar strukturën e tij dhe duke dëmtuar rëndë një prej monumenteve të trashëgimisë historike të kryeqytetit francez.

Sipas mediave ndërkombëtare, alarmi u dha rreth orës 04:15, pasi flakët përfshinë tregun që ndodhet në lagjen Marais, në distriktin e tretë të Parisit. Re të dendura tymi dhe flakë të mëdha u ngritën mbi zonën përreth, duke bërë të nevojshme ndërhyrjen e forcave të shumta zjarrfikëse.

Më shumë se 150 zjarrfikës dhe rreth 50 automjete emergjence u angazhuan për shuarjen e zjarrit. Sipas autoriteteve, flakët u vunë nën kontroll gjatë mëngjesit, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e strukturës metalike të tregut u shemb.

Fatmirësisht, nuk raportohet për viktima në radhët e civilëve. Një zjarrfikës mori ndihmë mjekësore pasi u ndje keq gjatë operacionit, ndërsa ndërtesat përreth arritën të shpëtojnë nga përhapja e flakëve. Autoritetet u kanë kërkuar qytetarëve të shmangin zonën përreth rrugës Rue de Bretagne, ku ndodhet tregu. 

I themeluar në vitin 1615, gjatë mbretërimit të Luigjit XIII, “Marché des Enfants Rouges” konsiderohet tregu më i vjetër i mbuluar ushqimor në Paris. Emri i tij lidhet me jetimët e një institucioni pranë tregut, të cilët mbanin veshje të kuqe.

I njohur për atmosferën tradicionale, produktet ushqimore dhe shumëllojshmërinë e kuzhinave ndërkombëtare, tregu ishte një destinacion i preferuar si për banorët e Parisit, ashtu edhe për turistët.

Për vlerat e tij historike dhe kulturore, objekti ishte përfshirë në listën e monumenteve historike të Francës në vitin 1982.

Kryebashkiaku i Paris Centre, Ariel Weil, konfirmoi se zjarri ishte vënë nën kontroll, por tregu ishte shkatërruar rëndë. Ndërkohë, autoritetet franceze kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e zjarrit, të cilat mbeten ende të paqarta. 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›