E Shtunë, 31 Tetor 2026

La pas poezi të reja

Një libër i ri me poezi të fitueses së çmimit Nobel Wislawa Szymborska, e cila vdiq në moshën 88-vjeçare më 1 shkurt, do të botohet në këtë vit.

Szymborska e botoi librin e saj të fundit, ‘Here’ (Këtu), në vitin 2008, por ka qenë duke punuar në një përmbledhje të poezive për të cilën një koleg i saj ka thënë se do të botohet gjatë këtij viti.

Kur shkrimtarja e lindur në Poznan u shpërblye me çmimin Nobel për letërsi në vitin 1996 – fituesja e katërt polake e këtij çmimi – ajo u përshkrua nga komiteti i Nobelit si ‘Moxart i poezisë’.

Në mesin e adhuruesve të saj ishte edhe Woody Allen, i cili tha: “Ajo është në gjendje të pushtojë pakuptimësinë dhe trishtimin e jetës, por në njëfarë kuptimi pozitiv”. Regjisori i ka bërë këto komente në një dokumentar të vitit 2010 të titulluar ‘Sometimes Life Is Bearable’ (Nganjëherë jeta është e durueshme), titull i marrë nga një koment i bërë nga poetja.

Ajo asnjëherë nuk i ka vizituar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke thënë se nuk i kanë pëlqyer udhëtimet e gjata dhe kur kritiku i gazetës New Yorker Lawrence Weschler tentoi t’ia mbushte mendjen që të shkonte, Szymborska tha: “Do të vija nëse aranzhoni takime me Woody Allen dhe Jane Goodall" (eksperti i famshëm i shimpanzeve).

Weschler tha: “Sapo i bëmë të gjitha aranzhimet, ajo tha se ka qenë shaka”.

Përveç të qenit poete argëtuese dhe thumbuese, ajo ishte gjithashtu edhe guximtare. Pasi nazistët e pushtuan Poloninë në shtator të vitit 1939 – kur ajo i kishte 16 vjet – ajo gjeti punë si nëpunëse në hekurudhë për t’i ikur dëbimit në Gjermani. Në kohën e lirë, ajo studionte në universitetet e fshehta ilegale.

Ajo i përdorte poezitë e saj për t’i përqeshur të fuqishmit. Në një krijim të vitit 1957, ‘Calling out to the Yeti’, ajo e krahasonte udhëheqësin sovjetik Joseph Stalin me dordolecin e neveritshëm.

Szymborska ishte një duhanxheshë e rëndë dhe vdiq nga kanceri në mushkëri pas një karriere të gjatë në të cilën ajo shkroi 400 poezi dhe botoi rreth 20 vëllime. Është mirë të dimë se do të ketë ende diçka për të shijuar nga lloji i poezisë që Akademia Suedeze ka thënë se shfaq lehtësinë kreative të Moxartit dhe tërbimin e Bethovenit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›