E Shtunë, 31 Tetor 2026

Labëria nderon të vetët, Ismail Qemali dhe 36 themeluesit, titull Mirënjohje e Labërisë

Nga aktiviteti i sotëm

Vlorë, 12 dhjetor 20:09 NOA - Është festuar në Vlorë 17 vjetori i krijimit të shoqatës “Labëria” në kuadër edhe të 100 vjetorit të krijimit të klubit Labëria.

Sot me pjesëmarrje të gjerë të autoriteteve vendore, deputetëve të qytetit, dhe të ftuar nderi ish presidentin Alfred Mosiu, Qytetar Nderi i Vlorës është zhvilluar ceremonia e dekorimit të krijuesve të klubit Labëria.

U nderuan plot 36 emra të cilët themeluan këtë klub dhe dhanë kontribut të veçantë në krijimin e shtetit shqiptar.

Diploma e parë “Mirënjohje e Labërisë”, iu dha Ismail Qemalit, si burrë shteti i nxjerrë nga Labëria, që krijoi shtetin shqiptar.

Gjithashtu pas vdekjes u dekoruan edhe 35 atdhetarë dhe patriotë të tjerë me moton që Shqipëria s’duhet të harrojë ata që luftuan dhe krijuan shtetin shqiptar, ndërsa Labëria si harron të vetët.

Diploma “Mirënjohja e Labërisë” e akorduar për Ismail Qemalin, u tërhoq nga kryetari i shoqatës Konaina, si djalë i Kaninës që ish dhe Ismail Qemali.

Atë e dorëzoi ish presidenti Moisiu, i cili në fjalën e tij përshëndetëse deklaroi se është mirë që politika shqiptare në tërësi të mendojë për Shqipërinë në radhë të parë e më tej për të tjerat.

Ceremonia u hap nga kryetari i shoqatës Labëria dega Vlorë Seimen Gjokoli, e më tej përshëndeti edhe Kryetari i shoqatës Labëria me qendër në Tiranë, Fatmir Toçi.

Ata deklaruan se kjo nismë për të dekoruar dhe dhënë mirënjohjen e gjithë krahinës së Labërisë këtyre njerëzve e patriotëve të shquar vlen për të rikujtuar vlerat e kombit dhe kontributin që këta njerëz dhanë në emër të kombit.

Shumë prej diplomave do të jenë në muzeun e qytetit të Vlorës, ndërsa një pjesë të tyre e tërhoqën familjarë të dëshmorëve dhe patriotëve të dekoruar, të cilët falënderuan shoqatën Labëria për nismën ndërmarrë.

Aktiviteti ishte organizuar edhe me mbështetje të Bashkisë së Vlorës, ndërsa salla e Teatrit Petro Morko ishte mbushur plot me pjesëmarrës.

Gjithashtu u dekoruan edhe tre grupe polifonike ai i Dukatit, i Vranishtit dhe Himarës, të cilët kanë kontribuar në mbajtjen gjallë të këngës Labe.

a.h/NOA

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›