Labinot Haliti në kategorinë e dytë australiane

Labinot Haliti, futbollisti prishtinas që konsiderohej si një nga kandidatët për fanellën e kombëtares shqiptare ka ndërruar skuadrën në kampionatin australian. Pas një aventure në Evropë për të kërkuar një skuadër (Zurich, Dinamo Zagreb dhe Varteks) futbollisti prishtinas bën një hap prapa në karrierë. Aktualisht Haliti i është bashkuar skuadrës së kategorisë së dytë të futbollit australian Sydney United dhe të hënën ka zhvilluar ndeshjen e parë me këtë skuadër. Në përballjen që skuadra e tij e re e ka humbur me rezultatin 3:2 ndaj Sutherland Sharks, Haliti ka debutuar me gol.
Sezonin e kaluar 22-vjecari kishte luajtur në kategorinë e parë të futbollit australian me Newcastle United Jets. Prishtnasi që karrierën e ka filluar me ekipet e moshave të 2 Korrikut është aktivizuar edhe më parë me Sydney United, që është një skuadër e themeluar nga emigrantët kroatë në qytetin e Sidnejt.
Haliti konsiderohet si një futbollist që mund të përshtatet fare mirë në të gjitha pozitat në skuadër. Karrierën e kishte filluar si sulmues, por me kalimin te Newcastle United Jets ishte shëndrruar në një mbrojtës të qendrës.