Labirinti me 250,000 libra

Një labirint, i përbërë vetëm nga librat, do të ekspozohet në Londër, në kuadër të Festivalit London 2012, i cili mbahet paralelisht me Lojërat Olimpike.
Sipas portalit Inhabitat, kjo skulpturë impresionuese në formë labirinti, që shtrihet në afro 500 metra katrorë, do të instalohet në Southbank Centre, që konsiderohet njëra nga qendrat më të mëdha të artit në Evropë.
Është kjo një vepër e artistëve brazilianë, Marcos Saboy dhe Gualtero Pupo, në të cilën ata kanë instaluar 250,000 libra.
Vizitorët do të kenë rast të shëtisin nëpër labirint, e madje edhe të humbin brenda tij, ndërkohë që është paraparë që disa shkrimtarë edhe të lexojnë pjesë të veprave të tyre, brenda kësaj strukture të pazakontë.
Ndryshe, labirinti, i quajtur “aMAZEme” (Më Befaso), do të jetë në dispozicion të publikut nga 31 korriku deri më 26 gusht.