E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meshkujt, viktima të feminizmit

Që nga fillimi i këtij viti brenda opinionit publik të Gjermanisë po zhvillohet një debat i ashpër mbi vlerat dhe (mos)sukseset e feminizmit. Debatin e nxiti libri i publicistit Ralf Bönt, “Gjinia e Çnderuar”, në të cilin autori ankohet për pozitën e meshkujve në shoqëri.

Para shumë viteve legjenda e muzikës country, Tammy Wynette, këndonte për atë se sa e vështirë është të jesh femër. Kjo, veç tjerash, nënkuptonte t’i qëndroje pranë mashkullit tënd, i cili kishte nevojë për mbështetje dhe dashuri, edhe pse vetë nuk i ofronte ato gjithnjë, sepse “është burrë”. Kënga “Stand By Your Man” (Qëndro Pranë Mashkullit Tënd) doli në vitin 1968, pra, pak para shfaqjes së lëvizjes feministe. Sot ajo konsiderohet ndër hitet më të mëdha të të gjitha kohëve të zhanrit country. Gjithashtu, kënga e Wynette hyn në mesin e këngëve që përjetuan më së shumti përpunime deri më sot.

“Stand By Your Man” deri tani konsiderohej një këngë që mund të interpretohejë bindshëm nga çdo femër (apo mashkull homoseksual), një ironizim ky që ende mund të dëgjohet nga shumë meshkuj heteroseksual, disa prej të cilëve vazhdojnë të ndjehen të rrezikuar nga ndryshimet shoqërore që ndodhën në kohën kur Tammy Wynette kishte publikuar hitin e saj më të madh.

Njëri nga ta është edhe publicisti gjerman Ralf Bönt (i lindur në vitin 1963), libri i të cilit “Gjinia e Çnderuar” (Das entehrte Geschlecht) në nëntitull definohet si “një manifest kushtuar meshkujve”. Sipas Bönt, botën moderne meshkujt vazhdojnë të portretizohen si figurat kryesore negative, edhe pse, paralelisht, thuhet se ata – kinse – kanë ndryshuar për të mirë, kështu që sot ka raste kur ata ziejnë, fshijnë pluhurat në shtëpi, ose përdorin krema për duar, ndërkohë që njohin edhe shumë produkte tjera kozmetike.

“Mashkulli i sotëm është i kujdesshëm, i vetëdijshëm për dinamikat e tij të lindura, mbështetës i barazisë gjinore... dhe krejt kjo vërtetë tingëllon shumë bukur”, konsideron Bönt, “megjithëse atij edhe më tutje i duhet të përballet me imazhin e vjetër të nëpërkëmbjes së maskulinitetit patriarkal dhe shtypës, gjegjësisht me gjërat si dhunimi, rrahja, shitja ose shkëmbimi, të cilat femrat për shekuj i konsiderojnë tipare tipike të meshkujve”.

Si rrjedhojë, autori në libër ngre pyetjen” Kush është, pra, fajtor për çnderimin e meshkujve, dhe për ç’arsye shoqëria ende s’po mund të shoh këtë imazh të ri të çiltërsisë mashkullore? Natyrisht, janë femrat, ose më konkretisht feministet, përgjigjet ai.

Sigurisht që, pas këtij konkludimi, nuk u desh të pritej gjatë për ndezjen e debatit lidhur me librin e Bönt. Madje, është interesant se edhe vetë kritikat mund të ndaheshin lehtësisht në pozitive ose negative, varësisht nga ajo sse cilës gjini i takonte autori. Kështu, në gazetën ‘Die Zeit’, në mbrojtje të Bönt doli Jonathan Widder, nëpërmjet teksti të titulluar “Penisi S’është Armë”, përderisa kritiket në gazetat ‘Süddeutsche Zeitung’ dhe ‘Frankfurter Rundschau’ ishin tejet të ashpra gjatë analizimit të tezave kryesore të librit “Gjinia e Çnderuar”. Nga këto kritika negative mund të nxirret qëndrimi i përbashkët për atë se Bönt, në fakt, e stërmadhon ‘çnderimin’ e meshkujve, dhe se ai është i verbër karshi problemeve të femrave në botë - përfshirë këtu shoqëritë perëndimore.

Megjithatë, libri “Gjinia e Çnderuar” fitoi përkrahjen e papritur të ministres gjermane për familje, Christine Schröder, e cila shumë shpejt botoi librin e saj “Falemnderit, por Dimë të Emancipohemi edhe Vetë” (Danke, Emanzipiert Sind Wir Selber), në cilin edhe ajo sulmon lëvizjen feministe. Reagimet ishin të ashpra dhe vinin nga të gjitha anët. Kështu, për shembull, “Frankfurter Rundschau” publikoi një tekst, në të cilin ministrja përshkruhet si person që “nuk është në gjendje të mendojë politikisht”.

Në ndërkohë, i gjithë debati i drejtua nga tema për kuotat dhe përfaqësimi i femrave në postet udhëheqëse, dhe në subvencionet për nënat vetëmbajtëse.

Ralf Bönt mund të jetë i kënaqur me shitjen e mirë të librit, i cili, megjithatë, nuk arriti që të bind publikun deri në fund se ‘meshkujt e shkretë’ duhen shpëtuar urgjentisht nga prangat e feminizmit. Fundja, të njëjtën gjë në manifestin e tij të pafund e propozoi edhe terroristi djathtist norvegjez, Anders Breivik – që është edhe një përfaqësues tjetër i meshkujve të bardhë heteroseksual evropianë, gjegjësisht të një grupi shoqëror që, me sa duket, ende s’po munde të kuptojë se humbja e privilegjeve shumështresore në raport me të gjithë të tjerët nuk është diskriminim. Përkundrazi, është drejtësi.

Tportal.hr

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›