FOKUS – SHBA godet dy cisterna iraniane në Hormuz

UASHINGTON, 8 maj /ATSH-AFP/ – Ushtria amerikane njoftoi sot se ka goditur dy cisterna iraniane që po përpiqeshin të hynin në një port iranian në Gjirin e Omanit, duke pretenduar se anijet po shkelnin bllokadën detare të vendosur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundër Iranit.
Sipas komandës amerikane për rajonin, “United States Central Command”, një avion amerikan përdori municione precize për të neutralizuar cisternat “Sea Star III” dhe “Sevda”, duke goditur dhe penguar të vazhdonin rrugën drejt Iranit.
Ushtria amerikane deklaroi se dy anijet nuk po lundrojnë më drejt porteve iraniane.
Njoftimi vjen në një kohë tensionesh në Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme për tregtinë botërore të naftës.
Ndërkohë, agjencia iraniane Fars raportoi për “përleshje sporadike” mes forcave iraniane dhe marinës amerikane në Hormuz.
Ministria e Jashtme iraniane akuzoi SHBA-në për “shkelje flagrante” të armëpushimit mes dy vendeve.
Pas njoftimit të CENTCOM-it, çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare u rritën sërish, ndërsa investitorët mbeten të shqetësuar për ndikimin e konfliktit në Lindjen e Mesme mbi ekonominë globale dhe furnizimet energjetike.
Që nga vendosja e bllokadës amerikane më 13 prill, pesë ditë pas hyrjes në fuqi të armëpushimit të brishtë, mbi 50 anije janë devijuar nga forcat amerikane, sipas ushtrisë amerikane.
Teherani vazhdon të mbajë të kufizuar qarkullimin në Ngushticën e Hormuzit që prej nisjes së luftës më 28 shkurt./ /Ad.Ab./ a.jor.