Laborator reference në Universitetin e Mjekësisë, Haloci: Impakti drejt certifikimit të produkteve farmaceutike e kozmetike

Kërkimi shkencor në fushën e mjekësisë do të ketë shumë shpejt një armë të fuqishme. Bëhet fjalë për një laborator kombëtar reference i cili do të sjellë përfitime direkte për kërkuesit shkencor, profesionistët e shëndetit, studentët, farmaceutikën dhe qytetarët përmes certifikimit të sigurisë së barnave.
“E para në funksion të kërkimit shkencor, të rrisim e të zhvillojmë një kërkim me standarde ndërkombëtare nëpërmjet certifikimit me ISO 17025. Të përfshijmë studentët tanë që të jenë profesionalisht në një nivel ndërkombëtar. Të trajnojmë dhe të përmirësojmë nivelet profesionale të profesionistëve të cilët duhet të marrin një lloj apditimi dhe përmirësimi të analizave të barnave gjatë jetës së tyre profesionale”
Drejtuesja e projektit ne Universitetin e Mjekësisë Prof. Asc. Entela Haloci tregon për RTSH se qëllimi i këtij laboratori është t’ju shërbejë edhe palëve të treta duke certifikuar sigurinë e produkteve farmaceutike, kozmetike e bimore në treg duke sjellë edhe të ardhura të qëndrueshme për universitetin.
“Fokusi do të jetë ofrimi i shërbimeve të certifikuara qoftë për bimët mjekësore, qoftë për formulimet galinike, formulimet farmaceutike apo qoftë për barna të ndryshme për të cilat do të ketë interes tregu farmaceutik. Ky shërbim ofron një dimension të ri për universitetin në kuptimin e një funksioni me impakt social, ekonomik dhe në shëndetin e popullatës. Duke ofruar një certifikim në fakultetin e mjekësisë , normal që cilësia është e garantuar”, tha ajo.
Laboratori është një investim I Ministrisë së Arsimit në bashkëpunim me Universitetin e Mjekësisë në Tiranë . Ai do të mund madje edhe të ndërkombëtarizojë produkte shqiptare në fushën e barnave, kozemtikës, bimëve medicinale apo suplementeve duke i analizuar ato fillimisht dhe duke i duke i certifikuar.
/rtsh.al/