Laboratori i sapunit në Përmet, të rinjtë mësojnë zanatin, kthejnë idetë në burime të ardhurash

Prej dy vitesh, në qytetin e Përmetit funksionon një laborator për përpunimin e sapunit artizanal me produkte natyrale. Ky aktivitet ka tërhequr interes të veçantë nga të rinjtë, të cilët po e shohin si mundësi për të mësuar një zanat dhe për të zhvilluar kreativitetin e tyre.
“Ky është një laborator që është hapur këto 2 vitet e fundit, në kuadër të zbatimit të një projekti nga fondet e BE. Të rinjtë e kanë përqafuar këtë nismë, janë në hapat e parë për prodhimin e një marke lokale për sapunin artizanal”, tha Kristiana Ballabani, specialiste turizmi.
Laboratori u ofron të rinjve mundësinë të eksperimentojnë me teknika të reja, të krijojnë produkte që mund të prezantohen pranë bizneseve lokale dhe jo vetëm.
“Synimi është që të përfshihen edhe bizneset lokale, sidomos struktura akomoduese. Interesimi është i lartë dhe jemi entuziastë për këtë nismë dhe ftojmë sa më shumë të rinj që t’i bashkohen kësaj nisme”, u shpreh Ballabani
Ky laborator për këta të rinj nuk është vetëm një hap drejt kreativitetit, por edhe një mundësi për sipërmarrje dhe zhvillim profesional në Përmet.
Gazetare: Leonida Koçiu
/rtsh.al/