Labova e Madhe, thesari i Odries – Pasuri natyrore dhe kulturore që synon të zhvillojë agroturizmin

Labova e Madhe ndodhet në njësinë administrative Odrie të Bashkisë Gjirokastër. Ky fshat malor, me pamje mahnitëse dhe ajër të pastër, mbart një histori të veçantë që e bën një nga vendbanimet më të rëndësishme të zonës. Rrënjët e tij janë të hershme, dhe ende sot ruhen gjurmë të traditave dhe kulturës popullore që e kanë karakterizuar ndër vite. Banorët e Labovës së Madhe merren kryesisht me blegtori dhe mbledhjen e bimëve medicinale. Jeta në këtë fshat është e thjeshtë, por e lidhur ngushtë me natyrën.
“Jetojnë 3 veta në stan që merren me blegtori”, u shpreh një banore.
“Në kohën e çajit mbledhim çaj”, tha një banor tjetër.
Labova e Madhe po bëhet çdo vit më tërheqëse për vizitorët vendas dhe të huaj, të cilët joshen nga natyra, mikpritja dhe autenticiteti i zonës. Banorët theksojnë se fshati ka shumë atraksione për t’u eksploruar, por mungon një strukturë bazë pritëse, një bujtinë.
“Kalojnë shumë turistë me motorë”, tha banorja.
Në një kohë kur gjithnjë e më shumë njerëz kërkojnë kthimin te natyra dhe vlerat e thjeshta, Labova e Madhe është një mundësi që pret të shfrytëzohet. Ky fshat i ka të gjitha, natyrshëm. I duhet vetëm pak më shumë vëmendje që të bëhet një destinacion i preferuar turistik .
Gazetare: Boralda Pëllumbi
/rtsh.al/