Laç, KRRTRSH në gjykatë për uzinën e petëzimit
LAÇ/ ROLAND NIKOLLI
Ndërtimi i Uzinës së Petëzimit në Laç çon në gjykatë KRRTRSH-në dhe një pjesë të institucioneve shtetërore. Pesë shoqata mjedisore dhe sindikata të punëtorëve, si dhe një përfaqësi e qytetit të Laçit, kanë regjistruar kallëzimin për të shfuqizuar vendimin për ngritjen e uzinës disa javë pas miratimit. Iniciatorët e padisë pohojnë se ndërtimi dhe funksionimi i uzinës do të ketë pasoja për ambientin për zonën e banorët e saj, ndërsa shprehen dhe për mangësi në paraqitjen e projektit. Javën që kaloi, në Gjykatën e Faktit të Kurbinit janë paditur: KRRT-ja e Bashkisë Laç, Zyra e Bujqësisë Kurbin, Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit, KRRTRSH-ja e Republikës si dhe firmën "Al-Çelik-Vega", duke kërkuar pavlefshmërinë e aktit administrativ të lejes së ndërtimit së Uzinës së Petëzimit dhe shkrirjes në fshatin Laç të rrethit të Kurbinit. Padia sipas tyre është bazuar në Nenin 116 e vijues të Kodit të Procedurës Administrative dhe nenit 324 të Kodit të Procedurës Civile. Në akt-padinë e këtyre shoqatave thuhet se leja e ndërtimit të uzinës "Al-Çelik-Vega" është dhënë në kundërshtim me ligjet dhe me interesat e familjeve në fshatin Laç e më gjerë, madje dhe pa i informuar ata. "Projekti ka mangësi dhe gabime inxhinierike të shkallës së lartë, duke fshehur kështu ndikimet negative për çka do të emetojë në ambient kjo vepër. Gjatë fazës së studim-projektimit nuk është marrë në konsideratë faktori komunitet, veçse kur është vënë re sheshi i ndërtimit, 2 km para qytetit të Laçit dhe pranë autostradës. Sheshi i veprës po ngrihet mbi një tokë bujqësore, e cilësisë së parë, kur fare mirë mund të shfrytëzohej zona e ish-uzinës së superfosfatit", pohohet në padi. Sipas përpiluesve të saj, ndërtimi po kryhet në një zonë ku për 12 orë era fryn në drejtimin perëndim-lindje, pra në drejtim të komunitetit prej 35 mijë banorëve, pa llogaritur këtu edhe 10 mijë pelegrinë që vijnë mesatarisht çdo vit në kishën e Shën Ndout në Laç. Gjithmonë sipas paditësve, sheshi i kësaj uzine ngrihet në një kuotë 50 metra më poshtë se qyteti i Laçit dhe nga oxhaku 22 metër i saj do të emetohen direkt mbi banorët gazrat e dëmshëm të lëshuar gjatë proceseve. Një tjetër faktor që i bën ata të reagojnë është ai i furnizimit të veprës me ujë nga i njëjti basen, me anë të dy puseve nëntokësorë prej 34 metër kub në orë, çka do të ndikojë ndjeshëm në jetën e komunitetit. Po ashtu, nuk bëhet e ditur se ku do të hidhen skorjet apo nëse do të vendosen filtra thithës. Shoqatat që kanë kryer denoncimin janë përfaqësuar nga ana e Bardhok Ndokës, Pjetër Preçit, Frrok Gjinit, Llesh Dajçit, Zef Milotit, Mark Zymës, Gjon Prengës dhe Ndue Laskës. Ndërsa bashkangjitur akt-padia mban edhe firmat e të paktën 300 banorëve të këtij rrethi.