Fier, 62 subjekte pa leje mjedisore
FIER - Edhe pse disa herë janë marrë masa për rehabilitimin e zonës së Fierit, e cila shënon nivele tepër të larta të ndotjes, situata ka mbetur pothuajse e njëjtë. Sipas Drejtoreshës së Agjencisë së Mjedisit, kjo strukturë e rëndësishme nuk mund ta kryejë këtë aktivitet e vetme, por kërkon vëmendjen e njësive vendore me qëllim që kontrollet të vijojnë e të bëhen me përfaqësues vendorë. "Subjektet me ndikim në mjedis janë disa. Numri i atyre që janë të pajisura më leje mjedisore shkon në 482, ndërsa të palicensuara janë 62 subjekte. Ne do të kërkojmë për to që të paraqiten për të marrë lejen mjedisore, në rast të kundërt jemi të detyruar që të vendosim gjoba aq sa e parashikon ligji, nga 300 mijë deri në 500 mijë lekë. Pas këtij hapi kemi të drejtë të sekuestrojmë pasurinë apo të ndërpresim aktivitetin", pohon Angjelina Mërtiri, drejtoresha e zyrës. Një problem tjetër që zgjat është ai i procedurave që duhen ndjekur pas lidhjes së kontratës, pra pas pajisjes me leje mjedisore. Shumë subjekte, sidomos ndërmarrjet e naftës, nuk plotësojnë kriteret e vendosura në lejen e nënshkruar me Agjencinë e Mjedisit. Edhe për to në bazë të një klauzole ligjore do të ketë sanksione deri në gjoba. m.r