Kundër investimeve të huaja si prioritet
Blendi Kajsiu
Investimet e huaja do na nxjerrin në dritë”. Kjo është pak a shumë një nga ...premisat bazë të çdo qeverisje shqiptare, që mbështetet edhe nga mençuria e pafundme ekonomike e Bankës Botërore dhe FMN-së. Ideja është shumë e thjeshtë; do vijë dita kur në Shqipëri do vërshojë një lumë me para nga investitorë të huaj, që do hapin vende pune pafund, do rrisin mirëqenien tonë dhe do ta nxjerrin Shqipërinë një herë e mirë nga bataku ku është. Kjo është pjesë e fantazisë sonë më të gjerë të integrimit euroatlantik, ku Shqipërinë e nxjerr nga bataku një forcë e jashtme, si BE-ja, investitori i huaj, apo SHBA-të. Investitori i huaj është imazhi i botës (kuptohet perëndimore) që na ndihmon. Prandaj jashtë çdo logjike kapitaliste investitori i huaj për ne kthehet në një bamirës, që me altruizëm vjen të investojë në Shqipëri paratë e veta për ta zhvilluar, modernizuar dhe avancuar vendin tonë. Interesi i investitorit, i punëtorit dhe i Shqipërisë shkrihen lehtësisht në një. Kështu edhe tipa si Berluskoni më shumë sesa si biznesmenë trajtohen si miq që edhe para interesit të vet shikojnë interesin e Shqipërisë.
Po të çlirohemi nga një fantazi e tillë do zbulojmë një të vërtetë fare të thjeshtë. Sfida reale e Shqipërisë nuk është tërheqja e investimeve apo kapitaleve të huaja, por mobilizimi i kapitalit dhe investimeve lokale. Shqipëria ka kapitale të brendshme shumë më të mëdha sesa ato që mund të tërheqë si investime të huaja nga jashtë. Mjafton të theksojmë se aktualisht kursimet e shqiptarëve në sistemin tonë bankar në tërësi janë rreth 6 miliardë euro. Kjo është një shumë marramendëse po të krahasohet me 464 milionë euro që është totali i investimeve të huaja direkte për 2007, apo me investimet e huaja direkte për vitet 2005 dhe 2006, vetëm 213 dhe 257 milionë euro përkatësisht. Duke parë këto shifra të habit fakti se përse ne e theksojmë kaq shumë dimensionin e investimeve të huaja kur ato kanë luajtur dhe luajnë një rol shumë më të vogël dhe më pak të rëndësishëm se kapitalet lokale që krijohen nëpërmjet remitancave. Natyrisht në fillimet e tranzicionit kur kapitali shqiptar ishte pothuajse inekzistent kapitali i huaj ishte i një rëndësie jetike. Ama tashmë ka vite të tëra që në Shqipëri futen me qindra-miliona euro vetëm nga dërgesat e emigrantëve. Vetëm për vitin 2007 sipas Bankës së Shqipërisë dërgesat nga emigrantët kanë qenë rreth 952 milionë euro, ose 12.3% e Prodhimit të Përgjithshëm Bruto (PBB).
Përballë këtyre shifrave investimet e huaja përbëjnë vetëm një përqindje të vogël të PBB-së. Aq më tepër kur të ashtuquajturat investime të huaja në një pjesë të mirë janë thjesht privatizime të aseteve kombëtare si banka, telefoni fikse apo celulare. Dhe të gjitha këto janë asete mjaft fitimprurëse ku më shumë sesa ekonomia apo qytetari shqiptar përfiton investitori i huaj. Sektorët kyçë të ekonomisë shqiptare që ka kapur kapitali i huaj që nga telefonia deri tek bankat janë sektorë ku më shumë mblidhet kapital shqiptar sesa hidhet kapital i huaj. Pikërisht për këtë arsye ministri ynë i Financave Ridvan Bode duke pasur parasysh krizën e sistemit bankar në Perëndim dhe likuiditetin relativisht të mirë të bankave në Shqipëri i bëri thirrje bankave të huaja, që mos të transferonin para drejt bankave mëmë. Pra ndodhemi në një situatë paradoksale ku më shumë sesa kapitali i huaj stimulon ekonominë shqiptare ekziston mundësia, që kapitali shqiptar të stimulojë ekonomitë e huaja.
Ndërkohë, ato investimet e huaja që do derdhin një lumë me para dhe do hapin një mori vendesh pune ende nuk po duken. Edhe miliardat e eurove të investimeve italiane në sektorin e energjisë, që kryeministri ynë i reklamon lirshëm, nuk duket se do kenë ndonjë vlerë të madhe të shtuar për ekonominë tonë. Këto investime nëse realizohen mund të jenë vërtetë miliarda euro, por për ekonomitë perëndimore që prodhojnë dhe instalojnë TEC-et, turbinat apo helikat e erës dhe që përfitojnë shumicën dërrmuese të energjisë që del prej tyre. Ne thjesht ofrojmë një qira të ulët si për truallin, ashtu edhe për shëndetin në shkëmbim të një fraksioni të energjisë që do të prodhohet.
Mesa na thonë institucionet ndërkombëtare si Banka Botërore investitorët e huaj presin që Shqipëria të forcojë shtetin, institucionet, infrastrukturën e kështu me radhë. Atëherë ata do vijnë, do hedhin para dhe do hapin vende pune. Problemi është se Shqipëria ka nevojë për para dhe investime tani që ka një shtet të dobët, infrastrukturë të pazhvilluar, një gjyqësor jofunksional, një sistem arsimor dhe shëndetësor në krizë. Përndryshe nëse Shqipëria ka një shtet të fortë, infrastrukturë të kompletuar dhe një shoqëri të zhvilluar atëherë nuk ka pse të presë investitorët e huaj, ajo zhvillohet vetë me kapitalin lokal, që në fakt e ka shumë më të madh sesa kapitali i huaj që tani.
Epo duhen investitorët strategjikë, mund të thotë me të drejtë dikush. Duhet eksperienca dhe menaxhimi i kapitalit të huaj në mënyrë që të mësojë kapitali shqiptar. Këto argumente nuk qëndrojnë. Së pari, kapitali i huaj nuk ka aftësuar por ka zëvendësuar kapitalin lokal në sektorët më fitimprurës të ekonomisë shqiptare. Ndërsa firmat shqiptare vazhdojnë të sillen rreth sektorit të ndërtimit apo në ndonjë sektori tjetër periferik, ku edhe fitimi është shumë më i vogël dhe shumë më i vështirë. Së dyti, kapitali shqiptar do të mësojë vetëm nëse i jepet mundësia duke operuar në treg. Mjaft firma shqiptare kanë treguar se dinë të jenë të suksesshme dhe të fitojnë shpejt eksperiencë edhe pse nisin nga pozita shumë inferiore në raport me ato ndërkombëtare. Së treti, në tregun shqiptar kanë hyrë investitorë të huaj fare jo strategjikë dhe përsëri kanë qenë të suksesshëm si pasojë e karakteristikave të tregut tonë. Mjaft të përmendin këtu “Eagle Mobile”, një firmë tejet e suksesshme tashmë edhe pse kompania që mori operatorin e tretë celular “Calik” nuk ishte e fushës së telefonisë celulare.
Së fundi, po të kemi parasysh skandalet e keqmenaxhimit të disa nga kompanive më prestigjioze botërore që ka nxjerrë në pah kriza e fundit financiare, ideja se fitimi i kapitalit të huaj në Shqipëri vjen thjesht si pasojë e menaxhimit të tyre superior në treg bëhet shumë naive. Në një pjesë të mirë të rasteve këto kompani kanë mbështetjen e qeverive përkatëse dhe institucioneve ndërkombëtare. Prandaj më shumë sesa nga mirëmenaxhimi ato përfitojnë nga pozicioni i tyre strategjik në treg. Pozicion që ruhet dhe riprodhohet edhe nëpërmjet institucione si Banka Botërore apo FMN-ja që janë pikërisht në funksion të investitorëve të huaj dhe jo në funksion të kapitalit lokal. Prandaj ata nuk lodhen së theksuari rëndësinë e investimeve të huaja edhe pse ekonomia Shqiptare në fakt mbahet me paratë, që më shumë se një milion shqiptarë bëjnë në emigracion. Para që në pamundësi për t’u investuar kund po kthehen në beton për ndërtim, në fatura telefonash celularë apo në konsum importesh, duke kontribuar pak ose aspak në rritjen e ekonomisë reale shqiptare.
Prandaj sfida reale ekonomike e Shqipërisë nuk është tërheqja e investimeve të huaja, por se si do të mobilizojë kapitalet që shqiptarët kanë krijuar, kanë sjellë dhe vazhdojnë të dërgojnë në vend përpara se sa ato të shterojnë. Po bëhen gati 20 vite që remitancat thjesht financojnë sektorin e ndërtimit dhe mbulojnë deficitin tonë tregtar. Sikur ato papritur të shteronin nesër ekonomia jonë do të kalonte në kolaps të plotë. Asgjë më shumë sesa ky fakt i thjeshtë nuk tregon dështimin e zhvillimit tonë ekonomik, megjithë rritjen njëshifrore me dy shifra që ofron qeveria. Mjafton t’i hedhësh një sy remitancave ndër vite për të kuptuar se rritja e ekonomisë shqiptare nuk është gjeneruar nga ndonjë motor i brendshëm zhvillimi, por kryesisht nga rritja e dërgesave nga jashtë. Kështu nëse në vitin 1998 këto dërgesa ishin rreth 400 milionë euro, në vitin 2007 ato u bënë pothuajse 1 miliard. Me gjithë këto burime financiare që kanë hyrë në Shqipëri ndër vite niveli i kreditimit të ekonomisë në Shqipëri është shumë më i ulët se në Perëndim dhe më i ulët edhe se në vendet fqinje. Pra, një pjesë e mirë e burimeve financiare lokale vegjetojnë, ndërsa pjesa tjetër shkon ose për konsumin e importeve ose thithet nga investimet e huaja.
Prandaj për momentin prioritet duhet të jetë mobilizimi dhe zhvillimi i burimeve financiare lokale dhe jo tërheqja e investimeve të huaja. Duhen politika që të stimulojnë kapitalin lokal, duke mobilizuar miliarda euro në kursime. Qeveritë shqiptare nuk duhet të kenë frikë të stimulojnë apo ndihmojnë investitorët shqiptarë si në privatizimin e aseteve kombëtare ashtu edhe në stimulimin e sektorëve kyçë të ekonomisë, ama në funksion të përmirësimit të jetesës të shtresave më të gjera sociale. Në vend të lidhjeve të shkurtra, që ekzistojnë sot mes biznesmenëve dhe politikanëve të veçantë duhen krijuar lidhje të gjata me sektorë të caktuar ekonomik, që jo vetëm ndihmohen por edhe ndihmojnë shtetin dhe shoqërinë. Ajo që duhet të na shqetësoje nuk është fakti se një biznes shqiptar po ndihmohet nga qeveria, përkundrazi. Çështja shtrohet pse vetëm një biznes dhe jo një sektor i caktuar, cilat janë përfitimet e shoqërisë nga kjo ndihmë? Në kushtet kur qeveria shqiptare është angazhuar të mos ndihmojë askënd, por të mbetet thjesht arbitër, marrëdhënia politikë – biznes që është e pashmangshme në kushtet e ekonomisë së tregut fshihet dhe katandiset në një përfitim të ngushtë personash dhe nuk prodhon një përfitim më të gjerë social.
Kjo e shton edhe më tepër urrejtjen mes palëve dhe pakënaqësinë në një shoqëri ku pasurimi personal ka gjithnjë e më pak një impakt pozitiv më të gjerë social. Për pasojë tranzicioni shqiptar karakterizohet nga një urrejtje e thellë e të gjithëve për të gjithë. Fjalët e Hobsit “homo homoni lupus est” (njeriu për njeriun është ujk) ndoshta përmbledhin esencën e kohës tonë shqiptare. Në kushtet e luftës dhe urrejtjes me njëri-tjetrin faktori i huaj perëndimor ka qenë dhe mbetet kompromisi më i pranueshëm nga të gjitha palët si në ekonomi ashtu edhe në politikë. Prandaj investitorët e huaj janë pritur dhe priten me mirënjohje sikur do të na shpëtojnë nga njëri-tjetri edhe pse më shumë sesa ne prej tyre përfitojnë ata prej nesh. Shpëtimin si në politikë ashtu dhe në ekonomi ne vazhdojmë ta presim nga jashtë.
Ama në mungesë të kapitalit vendas, në mungesë të një motori të brendshëm zhvillimi përtej remitancave, ne do të integrohemi në tregjet globale thjesht si krah pune dhe treg shitje. Ne thjesht do vazhdojmë t’i ofrojmë Evropës emigrantë me paratë e të cilëve do vazhdojmë të blejmë mallrat e saj. Me fjalë të tjera do të vazhdojmë të mbetemi një ekonomi e pazhvilluar dhe periferike në funksion të nevojave të ekonomisë evropiane për krah pune dhe tregje shitjeje. Dhe kjo është një e ardhme që ngjason shumë, po shumë, me të tashmen e tranzicionit që duam ta lemë pas.