E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lacio-Inter bëhet çështje politike

Zikaltërit, një hap larg titullit. Morati: Nuk na vjen turp, kjo çështje nuk na takon

Humbja e Lacios kundër Interit, me tifozët bardhekaltër që mbështetën dhe festuan në momentet e dy golave të zikaltërve është shndërruar në një çështje politike. Ajo që ndodhi në stadiumin “Olimpiko” shkaktoi reagime dhe kritika të shumta. “Të dielën në mbrëmje u shkrua një faqe e turpshme. Interi mund ta fitojë titullin, por për atë që të gjithë panë në fushë, ky do të jetë një kampionat i fituar njësoj si ai me telefonatat që Faketi i bënte gjyqtarëve”, deklaroi presidenti i senatorëve të PDL-së, Mauricio Gasparri, një tifoz i Romës, skuadra e cila u prek drejtpërdrejtë nga tolerimi. “Ajo që ndodhi në ‘Olimpiko’ është një antireklamë e futbollit, e sportit në përgjithësi. Një ngjarje që shkon kundër principeve të ndershmërisë sportive, të cilat u shkelën me këmbë”, shtoi zëdhënësi i PDL-së, Daniele Kapecone. “Drejtuesit, trajnerët dhe lojtarët e Lacios duhet të japin shpjegime bindëse për atë që ka ndodhur. Të vjen keq edhe për sjelljen e tifozëve: për vite kishim thënë që publiku ishte hallka e fundit ku kishte mbetur dashuria dhe pasioni për sportin, megjithatë tashmë ishim dëshmitarë të një farse të vërtetë, në të cilin u përfshi një stadium i tërë. çfarë kanë për të thënë tani zotërinjtë dhe zyrtarët e ‘qeverisë së futbollit’, apo edhe mediat, që ishin shumë kritikë në periudhën e të ashtuquajturit ‘Calciopoli’, e që tani rrinë kaq të qetë dhe tregohen mjaft të butë? Ajo që pamë në ndeshjen Lacio-Inter ishte një spektakël i shëmtuar. Ky është një kampionat i trukuar”, tha presidenti i deputetëve të PDL-së, Fabricio çikito. Kritikat nuk kanë munguar as nga opozita në Itali. “Përjetuam një humbje të vërtetë të sportit, ajo ndeshje është një njollë turpi për futbollin italian”, deklaroi shkurtimisht Marko Martineli, përgjegjësi organizativ i PDL-së. Për Paolo çenton, presidentin e “Roma club Montecitorio”: “Ndeshja e së dielës nuk ka nevojë për komente. Ata që e ndoqën takimin, e kuptuan se çfarë ndodhi. Megjithatë, problemi kryesor nuk është përballja ndërmjet Lacios dhe Interit, por menaxhimi që po i bëhet futbollit”. Senatorët e PD-së, Roberto Dela Seta dhe Rafaele Ranuçi, të cilët paralajmëruan një hetim parlamentar rreth tolerimit të hapur thanë: “Për interesin e emitentëve televizivë, që synojnë të thithnin sa më shumë audiencë, ndeshjet janë shpërndarë në orare të ndryshme. Por, në takimet e javëve të fundit nuk është ndjekur më ky kriter logjik dhe këtu humbet vetëm ndershmëria sportive. Pyesim Kryeministrin (Silvio Berluskoni) nëse kjo situatë ndikon në rregullsinë e kampionatit italian. Po federata, a e cilëson klubin e Lacios si përgjegjës?”. Senatori i Italisë së Vlerave, Elio Lanuti, foli për “një skenar të paravendosur prej kohësh, ndërsa tifozët e Lacios e shndërruan kampionatin në një farsë”.
Mediat ndërkombëtare e etiketuan takimin si “Një parodi futbollistike”, ndërsa theksonin se tifozët e Lacios iu kundërvunë portierit Muslera për pritjet e tij. Rosela Sensi, presidentja e Romës deklaroi: “Do të më vinte turp po të fitojë në këtë mënyrë”. Por, presidenti i Interit, Masimo Morati, nuk ndan të njëjtin mendim. “Ne nuk kemi asnjë lidhje me problemet ndërmjet Romës dhe Lacios. Të na vijë turp? Nuk e kuptoj për çfarë arsye. Natyrisht që situata në stadium ishte e çuditshme, megjithatë kampionati ende nuk ka përfunduar”, tha njëshi zikaltër, duke shtuar: “Murinjo? Ka edhe tri vjet kontratë, më pas do të shohim nëse do të vazhdojmë të punojmë së bashku”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›